Blog

Edhe turpi është i pafund - Nga Alfons Zeneli

Është bërë e ditur zyrtarisht se një grup arkeologësh shqiptarë dhe zviceranë kanë zbuluar në zonën e fshatit Lin, Pogradec, gjurmë të qarta të qytetërimit që i përkasin një periudhe 5800 vjet para Krishtit, pra gati 8000 vjeçare. Pa qënë nevoja të jesh shkencëtar, mund të kuptosh pa sforco rëndësinë tronditëse të një zbulimi të tillë.

Arkeologët e grupit miks shqiptaro-zviceran e kanë kryer misionin e tyre në çastin që kanë bërë zbulimin dhe konfirmuar shkencërisht atë. Më tej i vjen radha autoriteteve qeveritare për bërë detyrën. Dhe ndërkohë qeveria filloi ta bëjë detyrën e vet duke shkrirë institucionin që bëri zbulimin.

Do thoni ju, po kjo nuk është detyrë e qeverisë. Po, zotërinj, kjo është detyra e qeverisë aktuale shqiptare: të shkatërrojë vlerat, traditën dhe çdo fakt që rrit autoritetin historik të shqiptarëve!?

Kur denoncova i pari “vaftisjen” e Ramës si kalorës i batalionit të kryqmbajtësve të varrit të shenjtë të Kishës Greke, mercenarët e paguar dhe turma e pavullnetshme nuk la justifikim qesharak pa bërë. Anipse motivi i kryqmbajtjes ishte i qartë: “Për devotshmëri në shërbim të kauzës së Kishës Greke”.

Kur denoncoja që nga fillimi i viteve '90 tentativat për kooperativizim ballkanik, për konfederatë ballkanike dhe së fundmi për “Minishengen” apo “Open Balkan”, po e njëjta koshadhe mercenarësh të paguar a vullnetarë brigadash internacionaliste suleshin me të gjithë arsenalin mugoshian për t'i mbushur mendjen miletit se largpamësi ynë i paharruar e shikonte që nga maja e “Surre(a)lit” bërjen e Shqipërisë bahçe me lule nga dashuria buzëtrashë e vëlla Vuçiçit.

Po të njëjtat sulme të tipit thep-shqekëz, pata edhe kur denoncova aksionin me goditje të përqëndruar për mbjelljen me kubikë të varrezave të ushtarëve grekë nëpër pika nevralgjike të historisë mbi tokën e pakët të Shqipërisë së Jugut.

Janë këto, por dhe plot të tjera, simptomat e kolerës antishqiptare që po përhapet para syve të të gjithëve. Shembja nga themeli e godinave, banesave dhe çdo gjëje tjetër me vlerë në histori e arkiteketurë, është vazhdë natyrale e fushatës barbare që qeveria çiklamin e nudokracisë ka ndërmarrë mbi identitetin kombëtar.

Rasti i fundit i cekur në krye të këtij shënimi, tregon antagonizmin e skajshëm të qeverisë me Shqipërinë dhe shqiptarët. Nëse një zbulim i tillë do të kishte ndodhur në Greqi, Serbi apo dhe në Kepin e Shpresës së Mirë, qeveritë përkatëse do e kishin çuar zërin anembanë planetit pasi ky zbulim është me rëndësi mbikombëtare. Akademitë përkatëse do kishin bombarduar opinionin ndërkombëtar. Por kjo nuk mund të pritet nga një akademi e atrofizuar, frikacake, dogmatike, vegjetative, siç është kjo e mendermethënshmja jonë.

Shihni e dëgjoni dhe gjuhëtarët se si tmerrohen po ju the ndonjë fakt a zbulim, i cili ngre shqipen dhe cënon parafabrikatet e tyre “shkencorë” e iu trondit fshikzën brenda së cilës pluskojnë. A pritet që për një rast të tillë të reagojë kryetari uzurpator i ASHSH Skënder Gjinushi?

Ja vetëm kaq imagjinoni dhe mund ta kuptoni se në çfarë situate ndodhemi. Të kesh përpara një zbulim kaq të rëndësishëm dhe të heshtësh, vetëm këtu nën hijen e tendës së vetullave mund të ndodhë.

Ndërkohë ju rekomandoj të lexoni konkretisht për këtë çështje tek faqja Facebook e studiuesit dinjitoz e sovran Melsi Labi.

© Alfons Zeneli