Fati i librit në dy kohë - Nga Sejdin Cekani

Sejdin Cekani
Kjo foto lart të sjell kujtime të trishta të një kohe censure për brezin tonë, kur libri ishte e vetmja dritare prej nga mund të picërroje sytë e të shihje për së largu disa imazhe të vagullta nga bota përtej nesh.
Ishte koha kur librat e mjaft autorëve me emër të madh në letërsinë dhe mendimin shqiptar (Faik Konica, Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Zef Valentini, Etëhem Haxhiademi, Branko Merxhani, Lumo Skëndo, etj.), por edhe kolosë të letërsisë e filozofisë botërore të shekullit XX (Sartri, Kamyja, Prusti, Kafka, Haidegeri, Arendti, Fukoja, Poperi, Habermasi e dhjetëra të tjerë) mbaheshin si zogjtë e mbyllur në kafaz. Ata ishin të burgosur në “Fondin rezervat” të Bibliotekës Kombëtare dhe nuk lejohej assesi të shkonin në duart e çdo lexuesi. Dhe mund t’i shfletoje vetëm me autorizim të posaçëm, nëse kishe për të bërë ndonjë studim kritik apo dhe denigrues për ta. Madje edhe njëri nga librat e Heminguejit, romani “Për kë bie kambana”, ishte futur në listën e librave të hequr nga qarkullimi, sepse na qenkësh me përmbajtje disfatiste dhe i mungonte pathosi revolucionar.
Unë, si student letërsie, mbaj mend që, bashkë me dy shokë të tjerë, këtë libër e kam lexuar gjysmëilegalisht në pranverë të vitit 1981, në kohën e stërvitjes ushtarake njëmujore. Libri ishte botuar në Prishtinë dhe njëri nga pedagogët tanë, në mirëbesim, na e la dy ditë për ta lexuar, sepse edhe ai do t’ia kthente dikujt.
Atëherë ishte një kohë kur kishte etje të pashuar për të lexuar, por shumë autorë dhe veprat e tyre letrare ishin të ndaluara. Sot ka shumë libra dhe mund të lexohet çdo autor e çdo libër, por nuk ka lexues. Në njëfarë mënyre, shumë prej librave edhe sot nuk shkojnë në duart e lexuesve, por mbahen të burgosur si zogjtë në kafaz.
Ndryshimi është se dikur mbaheshin të ndryrë në “Fondin rezervat”, ndërsa tani mbahen të burgosur e të pluhurosur në raftet e librarive, a thua se janë thjesht fletëpalosje reklamash që na i futin poshtë dyerve të shtëpive.
© Sejdin Cekani





















