Blog

Në parukeri - Nga Jeta Dedja

Kisha mbi 20 vjet që mbaja flokët e gjatë dhe një ditë vendosa t’i pres. Isha në Toronto në atë kohë dhe meqënëse nuk njihja personalisht asnjë stilist flokësh fillova hulumtimin. Gjeta një sallon me akumulime të mjaftueshme përshtypjesh të mira nga publiku dhe mes listës së gjatë të parukierëve zgjedh një me emër Italian. Shkoj në orarin e rezervuar dhe i komunikoj parukieres kërkesën time.

“Dua t’i kem të shkurtra, por jo të qethura- i them. Më sugjero disa modele”.

Por parukierja nuk u mjaftua me kaq. Kërkoi të dinte kush isha unë para se të ndërhynte në pamjen time.

“Dua të krijoj imazhin tënd bazuar në personalitetin tënd” - më shpjegoi ajo.

Si shpeshherë unë tregoj kujdes të mos i fyej njerëzit sidomos kur përpiqen të bëjnë punën e tyre prandaj vendosa të luaj rolin e klientes ideale. Aq më tepër kisha edhe kohë të bollshme atë ditë për të shpenzuar.

Dhe fillova t’i paraqes një përmbledhje mbi veten sikur të isha në një intervistë pune.

Pasi mbarova rrëfimin bashkë me të edhe kafen që më kishin ofruar në sallon, parukierja nxorri konkluzionet më shpejt se ç’prisja. Sipas saj flokët e gjatë si tipar tejet femëror siç përcaktohej edhe në revistat e famshme krijonin surprizë me profilin profesional, prandaj ajo sugjeronte t’i mbaja të gjatë.

Edhe njëherë duke treguar sërish kujdes të mos ia fyeja zanatin, kërkova të më tregonte disa modele prerjesh të shkurtra.

E shikon tha - kjo është surpriza me figurën tënde. Arrin atë që do pa agresivitet, prandaj flokët e gjatë janë për ty.

Lucia më bëri të qesh atë ditë, sidomos gjatë momentit që më priste flokët, dhe sigurisht më bëri edhe të mendoj për psikologjinë popullore sesa mahnitëse është në momente dhe mjedise të caktuara si në sallonet e bukurisë që shpesh njihen edhe si vendet ku klientët flasin më shumë për veten, pa paguar për këtë të fundit.

Imagjinoni dikë me një pamje të këndshme, të kuruar, ekstravagande që ju kreh flokët  kujdeset për pamjen tuaj e ndërkohë bisedon me ju duke ju bërë edhe pyetje personale. Qëndrimi pas kurrizit e përmes pasqyrës është një detaj i rëndësishëm që redukton peshën e personales.

Klienti ka pranuar që në fillim se në parukeri nuk ka respektim hapësire personale. Aty dikush do t’ia lajë flokët, do t’i bëjë masazh, do t’ia krehë, lyejë, prekë. Pra kontakti fizik sa profesional është edhe personal. Në këtë proces, një mekanizëm lehtësues është komunikimi.

Parukierët kujdesen të mos shkojnë në thellësi të çështjeve që klientët ndajnë me ta gjatë një takimi, përkundrazi përmes përvojës dhe intuitës së biznesit kanë zhvilluar aftësi të njohin limitet dhe pikat e nxehta në një bisedë.

Prandaj shumë njerëz ndihen rehat të flasin në sallone bukurie për jetën e tyre, e shpeshherë edhe për hallet. Nuk u bëhet vonë nëse parukierët kanë apo jo trajnim në shëndet mendor, në fund të fundit shumica e njerëzve me të cilët ndajnë problemet dhe sekretet nuk janë profesionistë por njerëz me përvojë jete dhe që u duan të mirën, ose jo 😊.   

Tagged under Jeta Dedja Në parukeri