Wizz Air, aeroporti i Kukësit dhe Rama si Nastradini - Nga Dritan Goxhaj
Njëherë e një kohë, e pyetën Nastradinin: "Nastradin ku është mesi i botës"? Dhe ai u përgjigj: “Aty ku e kam lidhur unë gomarin”.
Nëse ju kujtohet, vjet kryeministri ynë e kish “lidhur gomarin” në aeroportin e Kukësit. Kish vendosur me çdo kusht të sillte aty, si thoshte ai “Ҫunat e Londrës”. Dhe për këtë organizoi edhe një goxha show të madh ku në ceremonin e rastit deklaroi: “Dua ta falenderoj drejtorin e kompanisë Wizz Air për gatishmërinë për ta parë Kukësin si një mundësi, sepse në fillim ai ishte skeptik, por pastaj e gjithë analiza e bërë rezultoi në favor të aeroportit”. Ndërsa drejtori ekzekutiv i Wizz Air deklaroi: “Nga Kukësi do të lidhemi me Vjenën, Mynihun, Baden dhe me Bazelin”. Dhe sipas tij, udhëtimet drejt këtyre destinacioneve do të kryheshin çdo javë.
Që atëherë e deri më sot, kjo kompani realizoi nga aeroporti i Kukësit vetëm një fluturim në javë dhe atë vetëm gjatë muajve të verës, pasi në dimër aeroporti qëndron i mbyllur. Dhe pasi ka kaluar një vit nga show i kryeministrit në Kukës, kompania Wizz Air deklaroi në fillim të kësaj jave që po lëmë pas se “Wizz Air konfirmon se pas një shqyrtimi dhe analize të kujdesshme, ne kemi vendosur të pezullojmë operimet për/dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit (KFZ) si rezultat i sfidave të paraqitura nga mjedisi i jashtëm, në veçanti terreni dhe moti, që ndikojnë në performancën operacionale të biznesit tonë dhe çojnë në ndërprerje të klientëve”.
Kompanisë iu deshën një vit, që më në fund të kuptonte se për këtë tip avioni me të cilin operon kompania, A320, është i pamundur fluturimi për shkak të terrenit dhe kushteve klimaterike. Dhe këta dy faktorë janë të lidhur ngushtësisht me njëri-tjetrin.
Edhe në një shkrim të mëhershëm e kam theksuar që aeroporti i Kukësit hyn te aeroportet që kategorizohen si të një vështirësie të lartë dhe të cilët në sektorin e aviacionit njihen si aeroporte të kategorisë C. Dhe sipas ICAO, Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil, fluturimi në kësi lloj aeroportesh duhet të kryhet nga pilotë të trajnuar specifikisht për këtë tip aeroporti, si dhe për shkak të kushteve të vështira metereologjike duhet të kryhet në kushte instrumentale, pra me anë të instrumentave.
Ndërkohë, fluturimi në Kukës kryhet vetëm në kushte vizuale dhe që ai të kryhet me instrumenta duhet që edhe aeroporti të jetë i pajisur me një sistem të veçantë që quhet ILS, Instrument Landing System (Sistem i uljes me instrumenta). Por aeroporti i Kukësit nuk e posedon një sistem të tillë. Kompania që e posedon këtë aeroport, “Kastrati”, nuk ka preferuar ta bëjë një investim të tillë, që kushton 30 milionë dollarë, aq sa ka kushtuar gjithë investimi në aeroportin e Kukësit.
Që fluturimi të bëhet visual, ai duhet të kryhet sipas disa rregulla të veçantë, sipas të cilëve, piloti duhet të jetë në gjendje të shohë jashtë kabinës së pilotimit, të kontrollojë lartësinë e avionit, të lundrojë duke shmangur pengesat e ndryshme natyrore si male, kodra, ndërtesa dhe pemë.
Kujtoj që edhe te ne aplikohen rregullat e Evropës, të cilët njihen si Rregullat e Standartizuar Evropianë të Ajrit dhe përcaktojnë se: avioni duhet të fluturojë në një lartësi minimale prej 150 m mbi çdo pengesë brenda një rrezeje prej 150 m, përveç se me leje, ose kur ngrihet dhe ulet. Nëse një avion po fluturon mbi një zonë të mbingarkuar (qytet ose vendbanim) ai duhet të fluturojë mjaftueshëm lart, në mënyrë që në rast të difekteve të motorrit, të jetë në gjendje të zbresë në mënyrë të sigurt dhe nuk duhet të fluturojë më pak se 300 mbi një objekt të lartë brënda një rrezeje 600 m nga avioni. Dhe po sipas këtyre rregullave, në fluturim vizual, avioni duhet të qëndrojë 1500 m larg çdo reje horizontalisht dhe 300 m vertikalisht.
Duke u munduar të bëjë gjithë këto lloj cirqesh, një avion i tillë 65 tonë do të shmanget nga kursi i fluturimit në Kukës dhe nuk do të ulet dot. Ose do të rrezikojë uljen duke sjellë edhe rrezik të madh si për avionin dhe pasagjerët në të, por edhe për vetë kompaninë dhe aeroportin.
Pas një viti, drejtuesit e Wizz Air, me gjithë dëshirën e tyre të mirë, u detyruan të nxjerrin bllof ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, që në 2019 deklaronte “Pozita e mirë gjeografike dhe rëndësia e zhvillimit të këtij aeroporti ka tërhequr vëmendjen e linjave të mëdha Low Cost, ndër të cilat mund të përmendim Wizz Air”, po ashtu edhe vetë Ramën në pjesën e tij të deklaratës “e gjithë analiza e bërë rezultoi në favor të aeroportit”.
Tashmë në Kukës fluturon operon vetëm kompania ajrore Air Albania, me vetëm një fluturim në javë dhe me një avion të njëjtë të tipit A320, i cili fluturon në të njëjtat kushte që fluturonte Wizz Air, por duke qënë se kjo është kompani shqiptare, nuk mund të tërhiqet nga Kukësi ashtu si Wizz Air, pasi ajo është nën komandën dhe kontrollin e Belindës dhe të Ramës. Dhe këta në asnjë mënyrë nuk do e lejonin që edhe Air Albania të tërhiqej nga Kukësi, pasi kjo do të sillte një dështim edhe politik për qeverinë e tyre, edhe për ata personalisht.
Ndaj edhe një javë pas tërheqjes së Wizz Air nga Kukësi, as njëri e as tjetri nuk janë ndjerë që të thonë ndonjë fjalë për këtë të vërtetë që ka deklaruar Wizz Air.
Kur e pyetën Nastradinin “ku është e vërteta?”, ai u përgjigj: “Pse a ka të vërtetë që t'u them ku ndodhet”?
© Dritan Goxhaj





















