Liria e fjalës kundrejt pronësisë - Nga Fazli Mazreku
Të gjithë duhet të brengosemi nëse fjala e lirë cungohet apo censurohet nga qeveria, agjencitë qeveritare apo entitete të tjera që kanë kompetenca në këtë fushë. Madje, ne si popullatë shumicë në Kosove duhet të jemi shumë më të ndjeshëm, sepse ne e kemi provuar se çka është ndalimi i fjalës së lirë dhe segregacioni në baza etnike.
Zhurma dhe pluhuri që po ngrihet për procedurat e regjistrimit si biznes medial të televizionit “Klan Kosova” ende pa e thënë fjalën përfundimtare organet kompetente, disi po e krijon përshtypjen sikur kjo fushatë e cytur nga individë, liderë të partive opozitare, madje edhe nga Quinti, është e nxituar dhe si e tillë, po e shpërfaq infantilitetin politik dhe qëllimin e keq të tyre.
Një gjë është e qartë si kristali: Ka dallim thelbësor mes ndalimit të fjalës së lirë nga qeveria me instrumente politikë apo ligjorë, në një anë, dhe respektimit të detyrueshëm të procedurës ligjore për regjistrimin e çdo subjekti juridik, për fushëveprimtarinë që kërkon të regjistrohet, në anën tjetër.
Legjislacioni i Kosovës është shumë i avancuar dhe nuk besoj se ka ndonjë boshllëk ligjor që pengon regjistrimin e të gjitha subjekteve juridike apo fizike që mëtojnë të zhvillojnë veprimtari të ligjshme në Kosovë.
Çuditërisht, si është e mundur që ende pa u shterrur mjetet juridiko-administrative dhe gjyqësore, të paragjykohet fajtori për shkelje të procedurës ligjore?! Sikur të ishte aq shumë e interesuar Bashkësia Ndërkombëtare për ligjshmëri në Kosovë, Kosova qëmoti do të ishte anëtarësuar në Këshillin e Europës, ku do të krijohej mundësia që Kosova të jetë edhe subjekt i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasbourg, dhe kështu do të krijohej mundësi që të pakënaqurit me vendimet e gjykatave lokale në Kosovë t’i drejtohen Gjykates Europiane.
Si do të reagonte Quinti nëse ndonjë pronar i ndonjë televizioni kosovar në formularin e regjistrimit do ta shkruante adresën Gjakovë, Republika e Shqiperisë? Pa fije dyshimi, do të ngriheshin tok në këmbë Borelli, Lajçaku dhe Eskobari. Kosova do të ishtë në tapet dhe do të ndëshkohej. Kurse tani kur në formular të regjistrimit shkruhet Djakovica, Serbija, për Quintin është irrelevante dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkohet që ligjshmëria të aplikohet në mënyrë selektive. A është e paanshme kjo fushatë e gjuajtjes së shtrigave? Gjithsesi jo!
Nëse gjykata kompetente konstaton se revokimi i regjistrimit ka qenë antiligjor, unë jam me “Klan Kosova”.
© Fazli Mazreku - London, Ontario





















