Blog

Incenerimi, opsioni i fundit - Nga Ylli Dylgjeri

Kjo që po shënoj këtu më poshte nuk është ndonjë informacion i ri dhe as i panjohur më parë. Risjellja në vemendjen e publikut dhe jo vetëm, e këtij fakti gati mbas një dekade, jep mundësinë për t’i dhënë përgjigje pyetjeve:

Si erdhi qeveria shqiptare në përdorimin e inceneratorëve ndërsa strategjia e menaxhimit të mbetjeve urbane, ashtu si në vendet e BE, e parashikonte incenerimin si opsionin e fundit dhe vetëm për një pjesë fare të vogël të tyre?

Çfarë roli kanë zyrtarët e lartë në mbështetjen e këtij opsioni, që solli aferën e shekullit në “gjakrrjedhjen” e financave publike, siç e quan jo pa të drejtë analisti K. Tomorri?

Pa kurrfarë paragjykimi politik e professional, po të shfletojmë shtypin e kohës, të paktën atë pjesë që makineria e propagandës shtetërore trushplarëse, e paguar me para publike edhe kjo, nuk ka arritur ta zhdukë ende.

Afera e inceneratorëve ka si origjinë të hershme të saj marrëveshjen e Bashkisë së Tiranës me ish-kryebashkiakun e Veronës Flavio Tosi në vitin 2016. Sipas asaj marrëveshjeje, në fuqi edhe sot, “një ndermarrje publike e Bashkisë së Tiranës dhe Veronës do të menaxhojë në pjesën qëndrore të gjitha çështjet e pastrimit” (Veliaj). Si rezultat, lindi ECO Tirana, kompania që realizon shërbimin e pastrimit të plehrave në Tiranë me ortakë.

51 % të aksioneve Tirana dhe 49 % kompania italiane AGMS Holding. Me vone, një nga përfaqësuesit kryesorë të kompanisë AGSM Holding ALBANIA sh.a. (Andrea Miglioranzi) u arrestua me akuzën se ka përdorur kompaninë lokale të pastrimit të plehrave të Bashkisë së Veronës, “Amia Verona”, për qarkullimin e parave të pista të organizatës Ndragheta.

Po ashtu, në vitin 2020, u arrestua edhe ish-kryebashkiaku i Veronës, Flavio Tosi, i cili u akuzua për bashkëpunim me Ndragheta për pastrimin e parave nëpërmjet plehrave. Së bashku me Tosin u akuzuan edhe 23 persona të tjerë të grupit të rrezikshëm Ndragheta.

Sipas shtypit te kohes, z. Veliaj e pati shpallur publikisht gjate vizites së tij në Verona në mesin e vitit 2016, se “në këtë rast, Bashkia e Tiranës dhe Bashkia e Veronës kanë krijuar një kompani publike për të bërë pastrimin e qytetit, diferencimin e mbetjeve në Tiranë, në mënyrë që ashtu siç Verona është qyteti më i pastër në Itali, të sigurohemi që Tirana të jetë qyteti më i pastër në Ballkan”, tha Veliaj.

Shih: https://www.balkanweb.com/veliaj-ne-itali-takim-me.../

Në fakt, ky person, modeli i zgjedhur nga z. Veliaj për Tiranën e pastër - Flavio Tosi - ishte i njohur më herët në rrethet e politikës së majtë shqiptare. Edhe më përpara, më 2014, F. Tosi kishte ndërtuar ura bashkëpunimi me z. V. Dako, ish-kryetarin e Bashkisë Durrës në ate kohë.

Shih: https://durreslajm.al/durres-dako-tosi-firmosin.../

Këtu të bie në sy edhe fakti se, sipas Open Data Albania, kompania ECO Tirana, përveç një numri shumë të madh shërbimesh, ka në fokusin e vet edhe “grumbullimin e diferencuar të mbetjeve urbane…”

Për mendimin tim, meritojnë një investigim më të hollësishëm edhe projektet e tjera me fonde publike që kjo kompani ka fituar gjatë viteve të ekzistencës së saj, shërbime që janë faturuar për llogari të kompanisë që kishte në pronësi inceneratorët si dhe të kompanive të lidhura, d.m.th. që zoterohen nga persona të ekspozuar politikisht.

Shkurt, fillesat e të gjithë inceneratorëve të Shqipërisë, janë në të majtën shqiptare, janë në Bashkinë e Tiranës, dhe është në nderin dhe në përgjegjësinë kushtetuese të SPAK, të zbardhë rolin e kryebashkiakut Veliaj në këtë aferë, sidomos duke zbardhur rolin dhe lidhjet e ECO Tirana me Ndragheta, me krimin e organizuar shqiptar dhe me elitën e korruptuar që qeveris vendin sot.

© Ylli Dylgjeri