Blog

Turistët italianë në Shqipëri dhe kryeministri shqiptar - Nga Alba Kepi

E vërtetë, plot italianë vizitojnë Shqipërinë çdo ditë. Unë që bëj mjaft shpesh Romë-Tiranë-Romë, takoj shumë të tillë.

E le t'i themi disa të vërteta të tjera:

1- Shumë italianë vijnë në Tiranë e Shqipëri për të rregulluar dhëmbët. Kushton jo gjysëm, por shumë herë më pak se gjysma e kostos që iu duhet t'i kurojnë në Itali. Quhet turizëm dentar. Mes Rrugës së Durrësit e Rrugës së Kavajës është krijuar një “Little Italy”, ku studio dentare, mjekësore, agjenci turistike e hotele, madje dhe ushqimore e pastiçeri mbajnë ndezur këtë merkatë. Ndërsa mediat shqiptare përkthejnë e papagallojnë intervistat e kryeministrit në mediat italiane, asnjë gazetar terreni nuk kam parë të dokumentojë këtë realitet.

2- Shumë italianë i ndesh në lagjet tiranase, nga Lapraka deri në unazë e qendër. Kush me koka të fashuara, veshë me garza, hundë e sy të nxirë si një kamp lufte. Kanë kryer trapianto flokësh o ndërhyrje estetiko. Në Itali do t'iu kushtonte shumë më shtrenjtë. Quhet turizëm plastic.

3- Shumë italianë janë prindër. Sjellin fëmijët të studiojnë në Shqipëri në një universitet privat mjekësie. Nuk kanë mundur të fitojnë konkursin e mjekësisë në Itali, e në Shqipëri e kanë më të lehtê. Familje italiane i takon në avionë drejt Tiranës me preokupimin për të gjetur njê apartament me qera në një lagje të qetë e të mirë për djalin ose vajzën e tyre. Quhet turizëm arsimor.

4- Shumë italianë që vijnë janë pensionistë, ftuar nga miqtë e tyre italianë që në Shqipëri janë pozicionuar prej pak kohësh. Vijnë për të vlerësuar nëse ia vlen të transferohen për të shpëtuar nga taksimet e larta më Itali e nga “caro vita”. Pensionet që marrin do jenë gjithmonë më të larta se rroga mesatare e një nëpunësi shqiptar. Quhet turizëm pensionistësh.

5- Shumë italianë vijnë me dëshirën për të investuar në një vend ku nuk ka sindikata e pronarët, e sidomos ata të huajt, bëjnë si të duan me krahun shqiptar të punës. Mjaft të dokumentohen kapanonet e fasonerisë ku punojnë mijëra gra e vajza shqiptare. “Hajdeni investoni, në Shqipëri nuk ka sindikata”, i thërret kryeministri shqiptar italianët prej 2013. Quhet turizëm skllavëror.

6- Shumë italianë vijnë për të kursyer, pasi vendet eskluzive të Jugut italian janë çdo vit e më të shtrenjta. Quhet Turizëm prej halli.

7- Shumë vijnë dhe nga kurioziteti. Propaganda e qeverisë ka nisur prej marsit të punojë për këtë.

Por turizmi i vërtetë është besimi që i ke dhënë klientit. Pra a do kthehet përsëri të kaloj pushimet në Shqipëri? Por dhe këtu kryeministri shqiptar vuri duart para e tha; “çmimet e lira të turizmit shqiptar do shtrenjtohen shpejt.”

Pra, nëse nuk do kemi më një vit si ky, nuk është faji i qeverisë, por i privatit.

© Alba Kepi