Sekser Milet - Nga Artan Gjyzel Hasani
Për sa kohë që problemi më i madh elektoral i Shqipërisë shtrohet nga opozita në trajtën “qeveria blen votat” dhe jo “populli shet votat” nuk ka asnjë shpresë që ai vend të dalë nga bataku elektoral…
Dhe nuk është dukuri të majtësh apo të djathtësh, është dukuri e komuniteteve të pashpresë që besojnë se “të gjithë politikanët/partitë i njëjti mut janë” dhe kështu mut se mut, më mirë një ditë të vetme mut në lulishte (thesi emblematik i miellit) sesa gjithnjë mut në nevojtore…
Shndërrimi i Votës në mall, ndryshe nga shndërrimi darvinian i majmunit në njeri, merr fare pak kohë dhe nuk kërkon hope cilësore në zhvillimin e trurit të shitësit… Mjafton varfëria në shtëpi dhe në shpirt dhe “bac’ u kry!”.
A ka zgjidhje të shpejtë?
Personalisht them që nuk ka, për sa kohë që klasa politike prodhohet pikërisht nga ai komunitet apo masë njerëzore elektorale.
Asnjë qeveri nuk e dëshiron popullin e vet dinjitoz. Evolucioni demokratik nga vetë natyra e demokracisë është tepër i ngadaltë, eksperimental dhe i korruptuar…
Vetëm një diktaturë e shkëlqyer do të mund të bënte ndryshimin, por fatkeqësisht diktatura e shkëlqyer nuk ekziston…
Po opozita çfarë ka në dorë në këtë rast?
T’i mbushë mëndjen shitësit të votës që nuk është mut, të paktën, që është mut ndryshe, por edhe kjo nuk jep zgjidhje të shpejtë pasi do ndërlikohet kutërbimi me aromën, dhe pastaj edhe ky status do bëhet një pordhë me rigon.
Por të paktën, jo mall.
© Artan Gjyzel Hasani




















