Blog

Në Lezhën e përmbytur nuk mund të kultivosh dot as orizin - Nga Ilir Levonja

Në Lezhë pronari i fermës ''Mrizi i Zanave'' deklaroi publikisht se dështoi në kultivimin i orizit. Si është e mundur në një rrafshinë që çdo dimër nuk e kalon pa u përmbytur një herë, madje edhe pranverës kur kanë çelur sythet apo bulëzuar të jeshiltat, përmbytjet janë aty? Aq sa kemi parë pamje nga më të çuditshmet, si shpërndarje ushqimesh me varka, majë çative dhe orendi nën shoqërinë e ujit. Si është e mundur të dështosh në një tokë zëre se nën ujë e të rrethuar nga lumenj, lagunë e det? Në fakt nuk ka dështuar ai, madje këtij novatori i duhet hequr kapelja. Ka dështuar   fillimisht a) qeveria dhe b) shoqëria shqiptare.

Sot me dhjetra gazeta postonin një sondazh të çuditshëm ku 61%, ishin të pakënaqur me qeverinë, por ishin më të shumtë ata me opozitën, 73%. Them i çuditshëm, pasi sondazhi bëhet për atë që ka çelësat e kullës së gurtë, jo për atë që ka çelësat e kasolles së kashtës. Mirëpo në Shqipërinë tonë mjafton të marrësh pak para nga pushteti dhe ia bëfsha në kokë kujtdo. Qofshin këto edhe ideale shkencëtarësh apo dekorata intelektuali, mjaftojnë pak para dhe mund ta shikosh për qafe si xhelatin edhe viktimën.

Kësisoj, këtë djalin që kërkon të kultivojë oriz vendi e kanë nëmur e tallur, madje i kanë thënë se prodhon Kina oriz sa të hajë bota dhe jo më Lezha. Kështu u ka thënë edhe myzeqarëve për hirrën, prodhon Serbia plot. Ndaj shitini bagëtitë, mbyllini fermat dhe ikni.

Mendësia e shtetarit shqiptar vdes t'i bjerë shkurt, ndaj kemi atë edukatën që një mendje novatore, ta quajmë budalla. Administrata jonë është 99% me të paaftë që vijnë si produkt i kërkimit partiak, jo i disiplinave universitare. Asesi... Po ta vini re, po të shikoni CV-të e tyre, janë 99% të paarsimuar sepse i kanë blerë diplomat. Ama janë 100% ushtarë të devotshëm për rekrutim dhe blerje votash. Meritokracia partiake të bën deri doktor profesor pa studiuar qoftë dhe një orë të vetme.

Është kjo arsyeja që shkollat nuk janë më shkolla. Sado të postojnë foto e video inagurimesh shtetarët, ato nuk janë më shkolla. Mund të kesh ngritur ngrehinën, por kjo nuk do të thotë se ajo është shkollë. Mund të kesh shpallur pluralizmin, por kjo nuk do të thotë se ke kapur demokracinë, asesi. Një shërrnajë e tërë qokash sa idetë kanë vdekur me kohë. Për më tepër sot ligjet dhe projektet më shumë i shërbejnë krimit dhe organizatave të shtëpive të barit se sa bujkut apo mendjeve novatore që punësojnë një komunitet të tërë.

Po t'i hedhësh një sy Lezhës, qoftë edhe nga sateliti, e gjitha të kthehet në ironi që ka fytyrën e parruar të një noprani parazit shqiptar, pasi uji të përmbyt gjithandej, mirëpo një fermer nuk e ka ujin për të kultivuar orizin. Po të lidhej me qeverinë dhe të kultivonte kanabis atëhere po. Kur zbrisja nga Qafë-Thana vërshonte uji me pistolea preçize lavazhi, kot vërshonte, sikur të bënte shurrën mali, e megjithatë Prrenjasi nuk ka ujë 24 orë. Ta mendosh që qeveria shqiptare bën tratativa t'i shesë Italisë ujin e syrit të kaltër.

Sikur ujin e përmbytjeve të menaxhonte ajo qeveri, me rezervuarë a gropa si ato gjoja për inceneratorët etj., mund të kultivohej lirshëm orizi. Po këto duken marrëzi në mentalitetin shqiptar, pasi gjithë koha e tyre është furrë e ndezur e politikës. Kësisoj edhe agronomi me tre diploma e ka më kollaj të bëjë karrierë kafeneve pas Ramës apo Berishës, pasi ka vdekur novatorizmi, puna kërkimore, prodhimi dhe për tepër menaxhimi.

Shqipëria mund të quhet tashmë minierë politike, por jo minierë prodhimi të mirash materiale për qytetarin e saj. Ata që i bëjnë këto punë, kanë marrë malet. Ata pak që kanë mbetur aty, vuajnë dhe krijojnë me frikën e ndonjë ataku pasi kanë mbi kokë forcën e përbindëshit nga ligjet me 1Euro metrin katror. Ligjin që e shpik njëra palë dhe ia lëron nënën pala tjetër.

© Ilir Levonja