Blog

Demokracia shuhet edhe kur pushteti e mediat bëhen bashkë - Nga Enver Bytyçi

Mbrëmë thuajse të gjitha emisionet televizive të debatit e opinionit kishin në diskutim atë që tashmë e quajmë “çështja Beleri”. Në të gjitha rastet debati devijoi në kornizat e “patriotizmit” të shtirur. Madje edhe përkrahësit e Belerit ranë në kurthin e kësaj skeme, të përgatitur me shumë marifet nga vetë moderatorët. E përbashkëta e moderatorëve ishte se ata, edhe kur niste ndonjë diskutim për çeshtjen konkrete, ktheheshin te tema e “patriotizmit” e marrëdhënieve Greqi-Shqipëri e madje te “armiku” i kombit shqiptar, Fredi Beleri.

Ndërkohë vetë këto TV dhe këta moderatorë paguhen me paratë e pista të Serbisë dhe të Rusisë, të mafies në pushtet dhe të fondacioneve pranë saj. Bëjnë çdo ditë reklamë dhe propagandë për projektet serbe në Kosovë e në Shqipëri. Kanë përkrahur dhe përkrahin çdo iniciativë të Beogradit, edhe pse ato cënojnë rëndë interesat e Shqipërisë e sidomos të Kosovës. I bëjnë jehonë pikëpamjeve serbe për zgjidhjen e konfliktit Kosovë-Serbi dhe çdo ditë, madje në çdo emision televiziv, sulmojnë qëndrimet dhe politikat e qeverisë së Kosovës, thjesht për faktin se ky qëndrim nuk u pëlqen padronëve Rama-Vuçiç të këtyre mediave.

Objektivi i politikës editoriale në debatin e mbrëmshëm të këtyre televizioneve ishte devijimi i diskutimit dhe debatit nga çështja kryesore që lidhet me liritë e të drejtat e njeriut si dhe me rolin e kryeministrit në shkelje të këtyre lirive, ose me lirinë e zgjedhjes, apo me inskenimin e shtetit për të kriminalizuar qytetarët e tij dhe ndëshkimin e kundërshtarëve, ndërkohë që janë mbrojtur patronazhistët deri ministra të “Rilindjes” për të njëjtën vepër penale.

Demokracia nuk bie vetëm kur bëhen grushte shteti e puçe ushtarake kundër saj. Demokracia në një vend merr fund edhe në momentin kur mediat bëhen njësh me pushtetin dhe u shërbejnë vetëm interesave të pushtetarëve.

© Enver Bytyçi