Blog

24 shtatori 2023, çlirimi përfundimtar i Kosovës - Nga Hajro Çini

24 shtatori, çlirimi përfundimtar i Kosovës, konfirmimi i fortë i Sovranitetit të plotë të Kosovës falë edhe idiotëve të dobishëm që Serbia prodhon pa pushim.

E kam përjetuar disa herë në jetën time, që në momentet më të errëta, që kur çdo gjë më dukej e pashpresë, kur më ikte gjumi i natës nga situata më të cilat ndeshesha, krejt pa pritur, totalisht jashtë kontrollit dhe mundësive të mia, çdo gjë përmbysej brënda pak minutash dhe të gjitha rreziqet që kisha para më zhdukeshin si të mos kishin ekzistuar. Gjyshja dhe nëna ime (qofshin të Zotit), kanë qënë shumë besimtare dhe gjithë kohën tentonin të më qetësonin dhe të më jepnin kurajo, duke më thënë:

“Hajro, ka edhe Zot dhe fjalën e fundit e ka ai dhe jo njeriu.”

Ishin fjalë vërtetë shumë qetësuese dhe sapo kthjellohej situata, unë falënderoja Zotin. Vite më vonë, pas 1990, kur më ra në dorë Kur’ani për herë të parë aty ndesha syren 94-5: “Me të vërtetë, pas vështirësisë - vjen lehtësimi!”

Analizoni tani situatën në Kosovë, sidomos në Veri të saj, Albin Kurtin, Vjosa Osmanin dhe ekipin e tyre.

Nuk kishte situatë më të errët në çdo aspekt. Në Veri kishin Serbinë që po përgatitej ushtarakisht. (Shqifolësit e paguar propagandonin me të madhe se Serbia nuk e do luftën.) Në jug kryeministri shqiptar nuk linte gur pa lëvizur për ta denigruar Kurtin. Të dy përfaqësuesit e BE, Borrell dhe Lajçak, ishin zëdhënësit e Vuçiçit. Dhiarët e diplomacisë Amerikane, Chris Hill, Gabriel Escobar si dhe Sekretari i Shtetit, Blinken, më i paafti dhe më anti-shqiptari që ka patur atë post pas 1990, nxirrnin helm nga goja kundër Kurtit.

Hill “krenarisht” deklaronte: “Vuçiç po sillet si aleat, për Kurtin nuk jam i sigurtë!”

Ndërkohë Serbia sillte armatim shumë të rëndë në Kosovë, armatoste dhe stërviste grupe terroristësh dhe kriminelësh, provokonte trazira, detyronte përfaqësuesit serbë të jepnin kolektivisht dorëheqjet, detyronte serbët në Kosovë të mos votonin.

Krahas Serbisë, në sulm të papërmbajtur, ishte edhe opozita (progresivisht e dobësuar) e Kosovës. Një pjesë e tyre janë hajdutë që janë pasuruar duke vjedhur kur kanë qënë në pushtet, një pjesë tjetër janë të përzgjedhurit e atyre që janë sot të arrestuar dhe akuzuar për krime ndaj shqiptarëve, shumica drejtues të lartë të LDK, por që hajdutët dhe të korruptuarit e Isa Mustfaës, i kanë harruar me kohë, dhe dukshëm i janë mirënjohës Thaçit dhe Veselit, që i kanë vrarë.

“Opinionistët” që paguhen bujarisht nga Beogradi, villnin vrer kundër Kurtit dhe prej muajsh parashikonin rrëzimin e qeverisë Kurti në shtator. Kujtoni se më 24 shtator ishte planifikuar, kryengritja “spontane” në Veri, dhe “opinionistët” e “analistët” ishin të sigurtë në sukesin e Serbisë.

Duke ndjerë rrezikun (sepse Kosova ka shërbim shumë të mirë informativ, sepse Gjermania është gjithnjë vigjilente), Kurti u detyrua të dërgojë në Veri forcat speciale.

Kjo krijoi një cunam të egër reagimesh “diplomatike”. Nga lakeu i Aleks Sorosit, Blinken: “Unë dënoj fuqimisht veprimet e Qeverisë së Kosovës”, deklaroi ai marrëzisht. (Blinken, duke përfituar nga gjëndje e nderë mendore e presidentit Biden, ka rrëmbyer politikën e Jashtme amerikane, veçanërisht në Ballkan, dhe ia ka lënë atë totalisht në dorë Aleks Sorosit.) E deri tek BE, që i vuri edhe saksione krejt të pajustifikuara Kosovës dhe nuk guxon të thotë një fjalë kundër provokimeve të Vuçiçit.

Këta pretendojnë se po bëjnë politikë të “mënçur” duke mbyllur sytë ndaj agresionit serb mbi Kosovë, që ta tërheqin Vuçiçin nga orbita e Putinit. Një idiotësi që mund të çudiste edhe Shvejkun.

Kosova ishte në pikën e saj më të izoluar diplomatikisht dhe ndërkombëtarisht. Vuçiçi ishte në kulmin e suksesit. Mirëpo Serbët kanë një veçori shumë interestante, veçanërisht kur janë në kulmin e suksesit. Idiotësinë e dobishme (për ne shqiptarët).

Duke e menduar se e kishte dobësuar mjaftueshëm Kurtin, duke e ndjerë veten si të gjithëfuqishëm që edhe USA dhe BE ia kishin nevojën, ai bëri idiotësinë (shumë të dobishme) të radhës. Si Milosheviçi më 1999, ai provokoi destabilizimin e Kosovës dhe vrau një polic shqiptar.

Për fat Kosova ishte e përgatitur për atë sfidë në mënyrën më të saktë dhe më efiçente të mundshme dhe reagimi saj ishte shembullor. Asgjësoi 15 kriminelë dhe të tjerët u larguan si minj gjirizesh.

Për ta vërtetuar para botës se Vuçiçi ishte organizatori, ai vetë shpalli edhe tre ditë zije për kriminelët e vrarë. Nuk mund të gjesh idiotësi më të dobishme.

Vuçiçi, si Milosheviçi më 1990, injoroi Gjermaninë. Mirëpo Gjermania ka një ambasadë shumë të respektuar në Washington, që përcjell mesazhe drejtëpërdrejt në Shtëpinë e Bardhë, sepse ajo e di se Blinken është thjeshtë një lake i Sorosit. Vuçiç dukshëm nuk e kupton se USA ka disa institucione. Kongresi ka kohë që është i shqetësuar për mbështetjen e palogjikshme që DASH i jep Vuçiçit.

Kongresmeni Keith Self, midis të tjerëve, e bëri për ujë të ftohtë përfaqësuesin e DASH që po raportonte në Kongres: “Ju jeni gabim kur mendoni se do të tërhiqni nga orbita e Putinin Vuçiçin. Ai është i Putinit dhe nuk ka për t’u shkëputur kurrë. Kosovën ne e kemi njohur, prandaj duhet përkrahur. Në raportin tuaj, ju nuk thoni asnjë fjalë për bojkotimin që serbët i bënë zgjedhjeve në Veri, kur USA i kishte paralajmëruar se edhe po t’i bojkotoni, USA do t’i njohë ato, prandaj unë ju sugjeroj që ju të ndërroni strategji.”

Idiotësia e dobishme e Vuçiçit arriti që brënda ditës ta kthejë situatën përmbys. Ta nxjerrë Kurtin absolutisht të pafajshëm dhe të respektuar. Të varrosë përfundimisht Zajednicën e Thaçit dhe Isa Mustafës.

Unë besoj se shumë shpejt do t’i hiqen sanksionet Kosovës dhe ndoshta do t’i vihen Serbisë. Blinken u detyrua që të deklarojë, publikisht, se Policía e Kosovës ka të drejtën të reagojë e para për çdo problem sigurie, dhe, nëse ka nevojë, ka të drejtë t’i kërkojë ndihmë KFOR-it dhe EULEX-it. Ishte hera e parë që USA deklaron publikisht se Policía nuk ka nevojë t’i marrë leje KFOR-it, duke konfirmuar, më në fund, Sovranitetin e Kosovës, në çdo centimetër katror të saj. Unë besoj se Escobar largohet shpejt nga detyra, dhe bashkë më të edhe Lajçaku.

Kurti doli triumfues mbi të gjitha rreziqet dhe sot është i nderuar kudo. Stoicizmi i tij, ndihma e Zotit, mbështetja e Gjermnisë i dhanë një fitore legjendare, alla-Rugovë.

© Hajro Çini

 

Tagged under Flasshqip.ca Hajro Cini