Franca e lirive të linçimit fetar - Nga Shaban Murati
Stacioni prestigjioz amerikan “CNN” njoftonte në 18 tetor me titullin “Ministri i brendshëm francez bën akuza të pabaza për yllin e futbollit Karim Benzema” se ministri i Brendshëm francez Gérald Darmanin në një intervistë në televizionin francez akuzoi Benzemanë se është i lidhur me organizatën terroriste “Vëllazëria myslimane”. CNN thekson se ministri francez nuk solli asnjë fakt ose të dhënë për të mbështetur akuzat e tij.
Fill pas ministrit të Brendshëm vrapoi menjëherë dhe senatorja Valérie Boyer, zëvendëssekretare e përgjithshme e Partisë Republikane, e cila kërkoi që Karim Benzemasë t’i hiqej shtetësia franceze.
Çfarë krimi bëri shtetasi francez Karim Benzema, fitues i “Topit të Artë” për vitin 2022 dhe që ka përfaqësuar Francën me kombëtare e saj rreth 100 herë?
“CNN” shkruan se akuzat kundër tij erdhën pasi ylli i futbollit francez Kari Benzema shkroi në X-in (ish-Twitter) e tij: “Gjithë lutjet tona shkojnë për popullin e Gazës, viktimë edhe një herë e bombardimeve të padrejta, që nuk kursejnë as gratë dhe as fëmijët”. Pra nuk bëri asnjë akuzë me emër ndaj atyre, që i shkaktojnë bombardimet dhe vuajtjet e popullit të Gazës.
Por qeveritarët e njëanshëm francezë nuk mund të tolerojnë lirinë e shrehjes së mendimit të qytetarëve, nëse nuk përputhet me njëanëshmërinë qeveritare. “Krimi” real i Karim Benzemasë është të qenit mysliman dhe me origjinë arabe. Ky linçim qeveritar është linçim fetar. Ky linçim don të thotë se komuniteti prej mbi 5 milionë shtetasish francezë të fesë islame, duhet të rrijnë gojëmbyllur dhe të mos gëzojnë të drejtat dhe liritë e shprehjes, që u jep Kushtetuta Franceze, me të cilat Parisi mburret në katër anët e globit.
Ky linçim fetar qeveritar i yllit të futbollit francez Karim Benzema, përbën një turp për Francën dhe tregon se “liberté, egalité et fraternité” kanë mbetur vetëm një kujtim muzeal historik.
© Shaban Murati





















