Asnjë ndryshim në qasjen Euro-Atlantike ndaj Kosovës - Nga Milaim Nela
Retorika e pesëshes ambasadoriale në Prishtinë e Beograd duket sikur nuk ka asnjë lidhje me rezolutën e Parlamentit Europian të miratuar para disa ditësh. Duket se përfaqësojnë dy botë krejt të ndryshme.
Për Lajçak e kompani, 24 Shtatori nuk ka ndryshuar asgjë në qasjen e tyre ndaj dialogut Kosovë-Serbi e ata vazhdojnë ti mëshojnë Asociacionit dhe depërshkallëzimit të situatës në Veri të Kosovës, duke mos përcaktuar aspak shkaqet e tensionimit të situates atje. Përkundrazi në lojën e fjalëve lihet të kuptohet që në rastin më të mirë të dyja palët janë njëlloj përgjegjëse. Është bërë një kujdes i madh që Vuçiçi të mos bëhet aspak përgjegjës për këtë agresion ndaj Kosovës.
Në referencat për 24 Shtatorin lihet të kuptohet që qeveria serbe nuk ka lidhje me këtë agresion e shkohet deri atje sa ti kërkohet bashkëpunim autoriteteve serbe për gjoja dënimin e përgjegjësve të kësaj ngjarjeje.
Europa duket që nuk ka nxjerrë asnjë mësim nga ngjarjet e Zveçanit më 24 Shtator dhe i mëshon të njëjtës strategji politiko-diplomatike që synon realizimin e objektivave të “Botës Serbe”.
Kjo shpjegon deklaratat standaloze të ditëve të fundit të Makronit dhe Edi Ramës në Tiranë. Po ashtu deklaratat e Baton Haxhiut në rrjetin e televizioneve shqiptare të Shqipërise e Kosovës janë shumë domethënëse.
Të mos harrojmë se Haxhiu duke qenë ndërmjetësi mes Vuçiçit dhe Rames dhe lajmësi i Vuçiçit e mbase edhe disa politikanëve në Kosovës është i pari që na bën me dije hapat e reja dhe çka do Serbia në Kosovë.
Po ashtu jo vetëm që nuk ndodhi nxjerrja jashtë ligjit e organizatës kriminale siç është Lista Serbe, por kjo e fundit duke e ndjerë këtë rrezik beri një hap përpara duke paralajmëruar pjesëmarrjen në zgjedhje, në 4 komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës, kurdo që ato të ndodhin.
Lista Serbe është nje bande kriminale që mban në terror serbët e Veriut dhe nuk ka aspak qëllim interesat e serbëve në Kosove por të gjitha direktivat i merr nga Beogradi dhe Vuçiçi, e synon në fund ndarjen e Kosovës dhe destabilizimin e plotë të pjesës tjetër.
Mosdeklarimin e Albin Kurtit pas takimit me pesëshen ambasadoriale nuk e shoh si lajm të mirë. Ai duhet të dilte para publikut dhe ta sqaronte në vija të përgjithshme çfarë është kërkuar nga dërgata, e cili është qëndrimi i tij. Eshte tepër e rëndesishme që publiku kosovar ta dijë se çfarë po ndodh.
Mendoj se elita politike kosovare në pushtet dhe opozitë ka humbur një rast që nuk i vjen më, që të unifikonte qëndrimet pas agresionit serb te 24 Shtatorit, e të dilte me një platformë unike të përbashkët rreth qendrimit ndaj asociacionit dhe dialogut shqiptaro-serb, ku të theksohej se Kosova i ka bërë të gjitha kompromiset e saj të dhimbshme me planin Ahtisari, e përtej këtij plani nuk mund të dilet më asnjë milimetër.
© Milaim Nela