Blog

Lutem për paqen - Nga Endrit Mullisi

Që kur Hamasi goditi Izraelin nuk kam qenë i qetë edhe pse nuk kam komentuar. E dija që luftë tjetër do plaste por nuk dija se kujt po i intereson më shumë kjo luftë.

Historia ka treguar që të gjithë që fillojnë dhe vazhdojnë luftërat nuk merakosen për njerëzit që do preken direkt dhe indirekt nga luftërat. Asgjë ska ndryshuar në ethet e brendshme njerëzore për të vrarë prerë dhe shkatërruar. Pavarësisht se Krishti na thotë që i Ligu i bën këto punë, duket që ata që i shërbejnë atij bëjnë po ashtu njësoj.

Më dhemb të shoh të vrarë që nuk zgjedhin të bëhen ushtarë, por bëhen pjesë e çmimit të luftës. Nëse fëmijën tim ma vrasin, kushdo qeveri, ajo bëhet automatikisht armikja ime. E njëjta gjë kur vrasin fëmijët e të tjerëve. Nuk e justifikoj asnjë qeveri që bën ekzekutime të tilla, qoftë dhe “pa dashje”.

Ndërsa në javët e mëparshme pashë postime të miqve të mi që përkrahnin Izraelin (këto postime shpesh ishin ripostime në anglisht bashkë me flamurin e shtetit të Izraelit) brenda meje diçka nuk po i mbështeste ato postime. Sigurisht që sulmi i Hamasit nuk është për t’u lavdëruar dhe as justifikuar, por gjithashtu dhe “mbështetja” për një shtet që nuk është i joti për t'u kundërpërgjigjur nuk ka fare lidhje. Secili të merret me luftërat e veta dhe jo të të tjerëve, sidomos kur këto mbeten veç në postime kopjace online. Nëse e mbështet diçka çoji rrogën mujore ashtu siç bëjnë izraelitët që jetojnë në diasporë për shtetin e tyre.

A nuk duhet unë si i krishterë të lutem për Izraelin? Patjetër! Ndoshta pak më shumë se për kombet e tjerë.

A e mbështes unë Izraelin? Më lejoni të shpjegohem.

Në kuptimin tim janë tre identitete në Izrael: 1) kombi izraelit që përfshin dhe diasporën mbarëbotërore; 2) shteti izraelit që përfaqëson qeverisjen dhe vendimmarrjen e një vendi sovran dhe 3) Izraeli i Perëndisë. Për këtë grupimin e tretë unë merakosem shumë dhe e mbështes.

Unë nuk merrem me vendimet e një shteti që nuk përfaqëson vullnetin e Perëndisë dhe nuk reflekton vlerat biblike që unë besoj.

Unë kam respekt të jashtëzakonshëm për popullin hebre kudo nëpër botë dhe e besoj që janë një komb i veçantë i zgjedhur nga Perëndia.

Lutem për paqen e Jeruzalemit dhe ardhjen e Mbretit të paqes, pa të cilin luftërat do vazhdojnë, pavarësisht arsyes!

Lutem për paqen në të gjithë shpirtrat e trazuar në Lindjen e Mesme dhe gjetshin drejtim jo në politikat e drejtuesve të tyre shtetërore!

O Zot ki mëshirë se ne të gjithë jemi mëkatarë!

© Endrit Mullisi - Pastor i Kishës ungjillore Shqiptare, Toronto