Blog

Diktatorët e rinj shpirtërorë - Nga Agim Baçi

“Të gjitha sëmundjet e shoqërisë më së pari shfaqen si sëmundje të gjuhës”, shkruan sociologu Talcot Parsons në veprën e tij “Shoqëritë moderne”. Sipas tij, janë interesat që helmojnë gjuhën, ndaj dhe manipuluesi mundohet të zhveshë kuptimin historik të fjalëve, duk i zëvendësuar me shprehje emocionale.

Një helmim i tillë i gjuhës na çon në botën oruelliane, ku në romanin distopik “1984” shkruhej: “Të thuash rrena me vetëdije dhe t’i besosh sinqerisht ato; të harrosh çdo fakt kur bëhet i pafavorshëm, dhe më pas, kur bëhet i nevojshëm, ta harrosh sërish - ta nxjerrësh nga harresa për aq kohë sa ke nevojë. Të mohosh ekzistencën e së vërtetës objektive dhe gjatë gjithë kohës të kesh parasysh faktin e mohuar. E gjithë kjo është domodoshmëri. Dhe kështu deri në pafundësi: me faktin që rrena është gjithnjë një hap përpara të vërtetës”. 

Manipulimi kthehet në një radioaktivitet shpirtëror, në krimin modern, sepse i jep njerëzve një realitet që nuk ekziston, dhe i shtyn të mendojnë mbi atë realitet të sajuar. Nën shiun e simbolikave të prodhuara mbi gjysëm të vërteta krijohet, në dukje, një bindje pa dhimbje, që nxit nevojat e turmave, duke e bërë informimin edhe më të vështirë. Sepse, manipuluesi e zëvendëson çdo ditë e më shumë dijen me fuqinë, pra duke u bazuar marrëdhënien njerëzore mbi frikën dhe adhurimin e fuqisë së pushtetit. Në këtë situatë, duket se hyn në skenë shkrimtari britanik Aldox Hyxley me parashikimin e tij distopik në librin “Më e bukura e botëve” ku shkruan: “Njerëzit qëndrojnë në radhët e gjata duke pritur racionin e tyre me tru dhe mend. Ata e marrin atë nga duart e pushtetit, njëri pas tjetrit, dhe të mbuluar me mirëqenie e të lumtur largohen nga radha. Askush nuk shtron pyetje, askush nuk rebelohet”.

Në fakt, manipuluesit nuk përpiqen të ndryshojnë rrethanat reale, por të ndryshojnë perceptimin tonë mbi këto rrethana. P.sh, politikanë të ndryshëm, nuk kanë më shqetësim korruptimin e tyre apo devijimin e vullnetit politik, por janë përpjekur të ndryshojnë perceptimin mbi këtë fenomen, duke e diskutuar hapur në publik si diçka normale, që e prodhon sistemi. Dhe fatkeqësisht shumë qytetarë e shohin si normal këtë shpjegim, duke i parë të korruptuarit si pasoje e demokracisë.

Po përse politika, sidomos qeveritë e sotme, janë të interesuara për vdekjen e idealit? Sepse është e qartë se njeriu mund të veprojë kundër instinkteve natyrore dhe mendjeve turbulluese vetëm nëse ka ideal, dhe ideali e shtyn të veprojë me ndërgjegje, që është edhe masa e fundit që njeriu mund të vlerësojë veprimet përpara vetes dhe përpara Zotit. “Kur mungon qëllimi, a nuk mungon aty edhe vetë njerëzimi?”, pyeste Niçe në mënyrë ironike në librin e tij “Kështu foli Zarathustra”.  

Kështu, “diktatorët e rinj shpirtërorë” i zëvendësojnë urdhërat me “këshilla” duke i ftuar njerëzit të veprojnë gjithnjë me instinkt, duke parë nga mbijetesa, si artin e vetëm të jetës së sotme. Diktatura e tyre mbështetet më së shumti te bllokimi i çdo lëvizjeje që u nxjerr në pah gënjeshtrën, te çdo lëvizje që bën bashkë njerëzit të mendojnë, të arsyetojnë. Nuk duhet të ketë asnjë të vërtetë tjetër veç asaj që sugjerojnë ata. Turmat duhet të sundohen pa e ditur, por duke besuar se ajo që bëjnë është vullneti i tyre.

© Agim Baçi