“Qentë” e së Djathtës dhe “hienat” e së Majtës - Nga Dashnor Kokonozi
Nivelim nga poshtë
Pas përleshjes që ndodhi para pak ditësh në parlamentin shqiptar, dëgjova intervistën e egërsuar të një eksponenti të opozitës, që para një tufe gazetarësh të lumtur që kishin gjetur me çfarë do të na zbavitnin atë ditë, shpjegoi se këto gjëra (lufta me karrige) ndodh gjithandej.
Më la përshtypje të madhe!
Ndërkohë që prej tyre nuk kam parë rastin e një qëndrimi politik që të jetë i niveleve të larta të asaj që ndodh në botë, ai na sjell si shembull për të ndjekur halabakërinë që kurrë nuk ka munguar kudo.
Një mënyrë e tillë regresive refleksioni në çdo vend e në çdo kohë është quajtur nivelim nga poshtë.
Zotnia në fjalë na bën thirrje që atë çka është më e keqe të na e imponojë si sjellje normale. Parlamenti i vendit, ai te i cili kishim varur shpresat tona të fundit, ka humbur çdo pikë orientimi të sensit të rrotullimit të qytetërimit.
Fatkeqësisht, një gjë e tillë dëgjohet gjithnjë e më shpesh si në jetën politike ashtu edhe në përditshmërinë e aksionit qeveritar. Më e keqja, ambalazhohet me atë se “kështu ndodh edhe në botë” dhe na këshillohet ta kapërdijmë. Dhe kjo ndërkohë që në vendin tonë nuk kemi parë ende shembullin e asaj që është më e mirë në botë dhe që (në fund të fundit) është normaliteti i botës së qytetëruar.
Kundër tiranisë së shumicës, atë ditë do të më kishte pëlqyer që në Parlament të kishte shpërthyer inteligjenca e opozitës, më shumë se vrazhdësia, do më kishte pëlqyer të dëgjoj një fjalim pasionant e të zjarrtë drejtuar kombit që të na jepte të kuptonim humnerën kur ka rënë parlamentarizmi, një thirrje të vërtetë politike që të na bënte të reflektonim për fatkeqësitë tona të vërteta. E mbi të gjitha të reflektonim kur të vinte çasti votimit. Opozita bëri të kundërtën.
Eshtë e frikëshme zbrazësia që është krijuar rrotull PD-së.
Është një brez i tërë që nuk ia lejon vetes të identifikohet me një barbari të tille.
Nuk arrij dot ta klasifikoj atë shfaqje qensh (këtë term e përdori vetë një deputet i opozitës të nesërmen), gjë që mua veçse më dha idenë e një statusi të mëparshëm, “Mrekullia e qenve”.
Ajo që më habiti më shumë, ishte se të njohurit e mi habiteshin me habinë time. Mirësekeardhur në Shqipëri, më thonin.
Refuzoj të bindem!
Kam ardhur në Shqipërinë time dhe jo në Shqipërinë e qenve të Parlamentit dhe ajo që u qortoj bashkëatdhetarve të mi është se ata votojnë e zgjedhin individë që janë nën nivelin e tyre qytetar.
Se është meritë e qenve të së Djathtës që na kanë lënë në dorë të ienave të së Majtës!
© Dashnor Kokonozi




















