Blog

Përgjithësimet çojnë gjithmonë në përfundime të gabuara - Nga Rob Kore

Nëqoftëse një indian, dy apo tre, që punojnë në kompaninë tënde, kanë bërë diçka, që sipas mendimit tënd, po e theksoj sipas mendimit tënd është e gabuar, nuk mund të thuash kurrsesi që të gjithë indianët janë të këqinj. Apo nëqoftëse një kinez ka spiunuar tek shefi yt, nuk mund të thuash që të gjithë kinezët janë spiunë.

Se sa të gabuara janë përgjithësimet, duhet ta kuptojmë shumë mirë ne shqiptarët, duke marrë shembullin tonë në Itali, Greqi dhe më tej në Europë. Në këto vende shpesh është thënë që shqiptarët janë kriminelë. Për të mos shkuar më tej, që për shka se disa vajza (të detyruara), që rrinë nëpër semaforë në Europë, të thuash që filan vend (Shqipëria, Ukraina, Europa Lindore) i ka të gjitha femrat prostituta. Këto janë konkluzione sa naive, aq edhe idioteske dhe shpesh herë dashakeqe e propagandistike.

Parë mbi këtë parim, antisemitizmi, pra të urresh gjithë izraelitët, vetëm për faktin pse ata janë izraelitë, është një fenomen i gabuar Ashtu siç është e gabuar të urresh zezakët, pse ata janë zezakë. Ashtu siç është e gabuar të jesh islamofob, pse për shembull arabët janë myslimanë. Dhe për ta sjellë tek Shqiperia, ashtu siç është idiotizëm me brirë të thuash që Veriu janë malokë dhe anasjelltas, apo siç është idiotizëm me brirë të thuash që gjithë Jugu janë osmano-komunistë. Që të jesh i saktë, për çdo rast duhet ndërtuar një analizë e veçantë, pa bërë përgjithësime për një popull, apo krahinë të tërë.

Këto ditë ka shumë qëndrime në lidhje me konfliktin Izrael-Palestinë. Për t’iu shmangur propagandës në tv, sepse e shoh që nuk ka opozitarizëm në këtë konflikt, jam përpjekur të ndjek intervista intelektualësh në SHBA, në Kanada, në Europë dhe në Azi. Pra jam përpjekur të ndjek të dy palët.

Disa prej tyre, kanë patur njerëz të afërt viktima të Holokaustit. Ata nuk marrin anë, si disa prej nesh, që thonë ne jemi me vendin e zhvilluar, ata të pazhvilluarit duhen zhdukur nga faqja e dheut. As nuk thonë, ne jemi të krishterë dhe myslimanët duhen eleminuar. As intelektualët e Azisë nuk thonë që të krishterët do t’i zhdukim. As nuk thonë, që ne na ushqen Kanadaja p.sh. dhe ne duhet të mbajmë anën e vendit që na ushqen (ky i fundit është një idiotizëm ballkanik më vete).

Intelektuali i vërtetë del mbi të gjitha këto qëndrime të njëanshme. Ai niset vetëm nga një parim: Humanizmi. Atje ku vriten njerëz të pafajshëm, pra aty ku ka krim, krimi duhet dënuar, cilido qoftë vendi që e bën krimin, qoftë ai dhe vendi yt.

Nuk mund të ketë vrasje civilësh të keqe, kur e bën njëra pale dhe vrasje civilësh të mirë, kur e bën pala tjetër. Duhet konsistencë në qëndrime, për veprime të ngjashme.

Sot kudo në botë është bërë shumë e vështirë edhe për intelektualin të thotë të vërtetën, sepse ose censurohet, ose goditet ekonomikisht.

Personalisht e vlerësoj si pozitiv qëndrimin e presidentit francez Macron së fundmi, i cili doli nga rreshti dhe dënoi aparteidin. Po ashtu, duke iu referuar votimit në OKB, shumica e vendeve janë për armëpushim.

Sot, në këtë moment, Izraeli ka vrarë 10,000 fëmijë, gra e burra të pafajshëm, por unë besoj se janë vrarë më shumë.

Si konkluzion, Hamasi e do dy herë plumbin ballit. Një herë për krimin që bëri, por edhe sepse ka tradhëtuar interesat e popullit të vet. Por edhe Izraeli po sillet si shtet fashist dhe gjithë empatia për izraelitët për shkak të Holokaustit, po kthehet në urrejtje për ta në gjithë botën. Sepse Netanjahu po shkon shumë larg dhe bota po e kupton qëllimin e vërtetë të tij, që është spastrimi etnik.

© Rob Kore - Toronto