Sorrollatje në varreza!
Agim Xhafka shkruan sot në Facebook:
Dritën e kujtoj përherë me fëmijë të vegjël ose në krah, ose në karrocë, ose ulur tek lëndinat e lagjes, ose tek stolat pranë grumbullit të plakave. Ishte një grua kadënë, e mbajtur, e bukur dhe plot zgjuarësi. Kishte Lekon, çun të vetëm dhe dy vajza. Burri i vdiq shpejt dhe kështu u lidh fort pas fëmijëve të fëmijëve. Plot 9 nipër e mbesa rriti. Me ushqim, me ninulla, me përralla, me dashuri të madhe. Por jeta bën të vetën. Mbylli sytë gjyshja e dashur një ditë prilli. Sa kishin çelur lulet e sapo ngrohtësia trokiti. Qysh atëherë kaluan plot vite. Nipër e mbesa u rritën, u martuan, Leko u bë gjysh dhe ja, erdhi përvjetori i largimit të nënë Dritës nga kjo jetë.
Leko ishte në një shërbim jashtë vendit ndaj mori djalin në celular sa për ta kujtuar të çonin lule te varri i gjyshes.
-Pa merak, baba!- ishte përgjigja e Klitit.
Por, ah ky por i poshtër. Ai asnjëherë nuk kishte qenë te varrezat. Ku prehej gjyshja? E zgjidhi duke thënë se po i lajmëroj të gjithë e dikush do e dijë vendin e saktë. E lanë për nesër në orën dhjetë, tek hyrja e parcelës së parë.
Mbërritën shtatë, Lola sapo kishte lindur dhe Lenci ishte emigrant. Një varg me makina, të reja dhe të markave më të mira.
-Na pri!- i tha Olsi, Klitit.
-Po ku? Nuk e di.
-Si? As unë nuk ...
Doli që të shtatë nuk dinin varrin e asaj që i vinte në gjumë me këngë e me ëndrra mjalti. Ndjenin boshllëk në stomak dhe e kuptonin se e kuqja ua kishte përpirë fytyrën. U ndanë sipas parcelave. Secili lexonte me zë emrat e shkruara me gërma bronxi. Ndeshën disa Drita, por jo e ëmbla e tyre. Kështu orë të tëra. Deri sa Kliti propozoi që të rrinin pranë një varri të kujtdo mjafton të kishte moshën e gjyshes.
-Bëjmë respekt për krejt brezin e tyre. Zoti po e kupton sa shumë duam ta gjejmë nënën tonë.
Kështu bënë, u afruan tek një gjyshe. Nuk quhej Dritë, por Nerënxë. Vendosën lule, ndezën ca qirinj dhe i dhanë puthje me dorë.
Pastaj kokëulur hipën në makinat e tyre dhe u kthyen në shtëpi.
Në darkë Leko mori Klitin:
-Shkuat tek nëna bir?
-Po baba, por nuk e gjetëm varrin. Kërkuam në çdo parcelë të Sharrës, nuk lamë cep...
-Ku, ku kërkuat?
-Në Sharrë, tek varrezat, baba!
-Eh, or bir, po gjyshja juaj është varrosur në...Tufinë.
-Si?!
-Pip, pip, pip...!





















