Pse duhet "albinizimi" i Maqedonisë së Veriut - Nga Xhevdet Nasufi
(Kjo jo për shkak të Albin Kurtit...)
Fundvitet 90-të dhe fillimvitet 2000 për shqiptarët ishin momente historike. Në atë kohë shqiptarët ishin në koalicion dhe bashkëveprim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n për çlirimin e Kosovës nga okupimi dhe urrejtja serbe, si dhe për më shumë të drejta për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
Pikërisht në atë periudhë u zhvillua lufta në Kosovë për çlirimin e saj, kurse shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nënshkruan kontratën historike me maqedonasit për më shumë të drejta. Mu në këtë kohë serbët dhe maqedonasit digjnin dhe sulmonin flamujt e SHBA, BE, NATO-s dhe gjithçka të tyre, kurse shqiptarët i mbronin ata, si vlera të lirisë dhe demokracisë. Për çudi, sot në Maqedoninë e Veriut SHBA e BE duhet të mbrojnë nga vetë shqiptarët lirinë dhe demokracinë si vlera madhore edhe të shqiptarëve.
Po pse kjo përmbysje e madhe sot?
Shtetet e Bashkuara të Amerikës zëshëm nisën ndëshkimin e politikanëve shqiptarë për korrupsion në Maqedoninë Veriut dhe jam me besimin e plotë se lista do të zgjerohet. Amerika është dashamirëse e shqiptarëve, por jo edhe e politikës idioteske të tyre. Bashkimi Evropian si në raportin vjetor ashtu edhe nëpërmjet ambasadorit në Shkup jo më larg se para disa ditëve shprehu dëshpërimin e thellë për aksidentet prej oborri të pushtetit, por edhe abuzimet që listohen si dukuri. Amabasadori hollandez, përfaqësues i njërit nga vendet themeluese dhe me peshë në BE i shkoi në zyrë Ali Ahmetit, ia shënjestroi në fytyrë të palarat dhe i qartësoi pasojat e tyre. Për çudi, sulmi në Autoritetin e hapësires ajrore të Maqedonisë së Veriut ditë më pare, ishte i paprecedent dhe hije e shëmtuar për shqiptarët. Bile edhe më keq, me këtë veprim u kërcënuan edhe aeroplanët e NATO-s që në kohën e sulmit mbronin dhe kujdeseshin edhe për hapësiren ajrore të Maqedonisë së Veriut.
Miq të dashur, mendësia e këtillë e politikës, seriozisht shkallmon besueshmërinë ndërkombëtare ndaj shqiptarëve, vë në prove përkushtimin përëndimor, për më shumë tani edhe për faktin: Gjersa agjenda e SHBA dhe BE është mbrojtja e shtetit të së drejtës dhe demokracisë në Maqedoninë e Veriut, për fat të keq agjenda e politikes së shqiptarëve, por jo vetëm, është mbrojtja e krimit dhe kapja e të gjithë segmenteve të shtetit. Bile e pazakontë, vetë kryeministri Kovaçevski mundohet të mbrojë delinkuentët e politikes së BDI-së, ashtu siç bëri edhe Zaevi, duke e mbrojtur Angjushevin nga “non-grata”, apo edhe veten(?!)
Si përfundim, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe lideri i tij janë bërë hije e keqe për qeverisjen civilizuese të shqiptarëve. Mu këtu edhe duhet kërkuar nevoja për "albinizimin" (simbolika Albin Kurti) e politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Tani kjo është ngritur në ndjesi dhe nevojë reale nga brënda që të ndodhë në cilëndo formë. Gjithsesi, për këtë nuk do të duhet të vijë Albin Kurti si kryeministër, as deputet, por të vije perceptimi për qeverisje të drejtë dhe pa korrupsion, për qeverisje proshqiptare dhe pro shtetit të së drejtës.
© Xhevdet Nasufi - Maqedonia e Veriut



















