Blog

Shkolla e vjetër na la!

Nga: AGIM XHAFKA

Kjo shkatërrinë ka qënë shkolla ku unë dhashë mësim shumë e shumë vite përpara. Sa mbarova universitetin më degdisën në malet e Gorës, mes mjerimit,varfërisë e urisë. Por populluar nga njerëz bujarë, që na mbanin në shtëpitë e tyre për të fjetur e kur ndonjëherë therrnin ndonjë pulë që e rrisnin fshehur, na jepnin ndonjë tas me supë me kofshën brenda në të.

Kjo pamje nuk më mërzit, më gëzon. Se një shkollë rronitet kur nuk ka nxënës. E mes atyre skërkave për fat jetojnë veç ca pleq që nuk kanë ku shkojnë nga pamundësia. Të tjerët prej vitesh janë rregulluar nëpër botë, në Durrës e Tiranë.
Pamja e shkollës sot rrëfen se velçanakët ikën drejt jetës më të mirë si kërkuesit e arit drejt Alaskës. U turrën me një bohçe rrobash e nuk erdhën më. 
Shkolla është si foleja e zogjve. Kur ata nuk rikthehen foleja te ballkoni na bie ndër këmbë. Pezmatohemi pak, por e dimë që diku tjetër ka nisur jetë foleja e re.
Shkolla u vidhis si vetë ngrehina komuniste. Zuri plot poshtë vetes, por shumica shpëtuan. Nxënësit e mi më bëjnë mesazhe nga Londra, Parisi, New Yorku, Roma, Athina. Gëzohem sikur të ishin fëmijët e mi. Prita 1 Qershorin që të postoja këtë foto. E kisha prej muajsh, por sot dua të uroj gjithë ish-nxënësit. Janë të rritur, baballarë sot, por i kam ndër sy të vegjël, të vegjël fare. Gëzohuni që shkolla e vjetër na la. Nëse shkon ndonjë prej jush këto kohë atje, jepini kazmën e fundit dhe bëjeni lëndinë atë pjesë. E mbi të vendosni një dërrasë me mbishkrimin:”Këtu shkonin në shkollë ata që nuk kishin një vakt bukë e ata që vishnin gazeta poshtë tutave që të mos i sëmurte era e dimrit të egër!”

Shkolla ime, pas ca vitesh nuk do jetë më mbi tokë. Do jetojë tek mendja ime si zgjua bletësh, mbushur me harenë e moshës të qindra fëmijëve. Ende më gumëzhin koka prej asaj zhurme që ia kalon dhe uverturës së ujëvarave më të famshme...

Tagged under shkolla Agim Xhafka