Mirënjohje për kongresmenin Joseph DioGuardi - Nga Hajro Çini

Hajro Çini - Toronto
Në një promovim libri në Toronto, dje (18.02.) takova ish-kongresmenin amerikan Joseph DioGuardi. Fola tre minuta me të dhe e falënderova për çka ai ka bërë për Kosovën.
Ai me modesti tha: “Nuk kam bërë mjaftueshëm, ne akoma kemi vetëm një shtet, por nuk kemi akoma një komb.”
Sidoqoftë, në libër, ishin disa dokumente shumë interesantë. Kur kongresmeni DioGuardi hyri në Kongres më 1985, atje nuk dihej asgjë për Kosovën. Ai punoi intensivisht të nxirrte të vërtetën.
Departameni i Shtetit i kishte dërguar një letër, më 1987, ku e këshillonte të mos fliste më për Kosovën, sepse shqiptarët e Kosovës “janë kriminelë që po shtypnin serbët” dhe se Jugosllavia ishte një aleat i vlefshëm i SHBA.
DioGuardi nuk u step, por veproi edhe më fuqishëm. Gjeti përkrahjen e ish-senatorit republikan Robert (Bob) Dole. Brenda dy vjetësh DioGuardi, i mbështetur edhe nga senatori Dole, kishte krijuar një grup prej 60 kongresmenësh që ishin mbështetës të Kosovës.
Në vitin 1988, Presidenti Bush Sr. i kishte dërguar një letër Kongresit, ku ai shprehte simpati për popullin e Kosovës, si popull trim dhe krenar, që meriton të respektohet.
Më 25 dhjetor 1992, Presidenti Bush Sr. i dërgoi një letër kërcënuese Millosheviçit (Christmas Warning) ku ai ia thoshte, pa dorashka diplomatike, se vija e kuqe e Millosheviçit ishte Kosova. Çdo ndërhyrje ushtarake atje nga ana e Serbisë do të ndeshej me ushtrinë amerikane.
7 vjet më vonë Kosova u çlirua nga forcat e NATO-s të udhëhequra nga SHBA dhe 9 vjet pas çlirimit shpalli edhe pavarësinë, për të cilën dritën jeshile dhe mbështetjen e pakufizuar e mori nga Presidenti Bush Jr.
Shpreh mirënjohjen time më të thellë për kongresmenin DioGuardi, për senatorin Bob Dole (senatori republikan më i respektuar për mua), për Presidentët Bush Sr. dhe Bush Jr., pa të cilët pavarësia ndoshta do të ishte akoma ëndërr dhe aspiratë.
© Hajro Çini