Blog

E vërteta rreth gjyqit McGonigal nuk është ajo që i serviret publikut - Nga Milaim Nela

Më vjen keq që po keqinformohen njerëzit për gjyqin e McGonigal. Charles McGonigal është dënuar në SHBA ngjashëm siç u dënua Saimir Tahiri në Shqipëri, për shpërdorim detyre. Akuzat e rënda që potencialisht do implikonin kryeministrin shqiptar ishin ato 8 akuzat që iu hoqën, e për të cilat nuk do ketë as gjyq, e as denim. Pra me fjalë të thjeshta, kapitulli i Edi Ramës me drejtësinë amerikane është i mbyllur. Me sa duket, dëmi që do t’i bëhej SHBA me procedim të mëtejshëm do ishte shumë i madh.

Që të jem i drejtpërdrejtë, nuk është njëlloj për amerikanët kur një zyrtar i tyre shkel ligjin brenda territorit të Shteteve të Bashkuara dhe kur e shkel jashtë territorit të tyre.

Tani imagjinoni një republikë bananesh si Shqipëria, ku ambasadori sillet si guvernator dhe tredh 140 deputetë të votojnë siç do ai në shtetin ku është vetëm mysafir. Në një vend ku ai/ajo e është vetëm përçues mesazhesh i vendit të tij nuk duhet të ketë absolutisht asnjë lloj pushteti.

Politikës Amerikane si kudo në botë i pëlqen të merret me dhe të ketë në pushtet njerëz të shantazhuar, e Edi Rama është i shantazhuar. Ai është nga ata që iu thotë “Yes Sir” në çdo moment që e kërkon interesi i tyre.

Pse të kenë telashe? Kështu vepron Amerika kudo nëpër botë. Shumë pak zyrtarë amerikanë e dinë ku bie gjeografikisht Shqipëria. Donald Trump, fjala vjen, e di Kosovën diku në Lindjen e Mesme në kufi me Libanin. Të mos flasim për amerikanët e zakonshëm. Ndërkohë, kur amerikanët bëjnë biznes me pasuritë tona kombëtare, marrin tendera siç janë ato të naftës apo Skavicës dhe këtu ndryshon krejtësisht natyra e aleancës.

Mua më vjen turp kur zyrtarët apo politikanët shqiptarë përdorin fjalën “partner” apo “aleat strategjik”. Partner ke një shtet që ka fuqi politike dhe ekonomike të ngjashme me tënden. Partnerë mund të kesh Kosovën e Malin e Zi, jo SHBA apo Britaninë e Madhe. Me këta të fundit, maksimumi që mund të thuash, është që i kemi punët mirë me ta, ose na mbështesin, por jo partner.

Politika e madhe amerikane ka “ikur” nga Ballkani që kur iku Xhorxh Bush nga Shtëpia e Bardhë, e akoma nuk ka asnjë shenjë rikthimi tash e 16 vjet.

Nuk mund ta kesh aleat Amerikën, sepse nuk të ka ajo ty. Lerini pallavrat para mikrofonave!

Nuk po marr shembullin e fundit, por vizitën 3 orëshe të Xhon Kerrit në Tiranë, ku një orë ia kushtoi Xheni Karajt. Tani vërtet mendoni ju se Xheni Karaj dhe kauza e saj janë interes i madh strategjik Amerikan?

Ju lutem jini pak seriozë!

Shqipëria dhe Kosova dhe bile edhe Ballkani janë territore të lëshuara me qira e në rastin tonë qiraxhiu është Xhorxh Soros dhe rrjeti i tij.

Dhe së fundi, takimin e Blinken me kupolën e drejtësisë shqiptare e shoh si turpin tonë shtetëror pas 112 vitesh shtetformim. Ai ishte aty për të realizuar një agjendë dhe për t’i bërë një nder qiraxhiut Soros. Hollësitë kanë pak rëndësi.

Hallet tona nuk do të na i zgjidhë kurrë Amerika, por vetëm ne.

© Milaim Nela