Opozita dhe lufta me mullinjtë e erës - Nga Gëzim Zilja
Opozita e vërtetë shqiptare është në ditët më të zeza të saj e ndarë në dy pjesë. Një pakicë njerëzish me disa deputetë, që numërohen me gishtat e njerës dorë në sajë të vendimeve të gjykatave të komanduara nga qeveria ia kanë dhënë vulën dhe njohin si PD këtë pakicë me kryetar një personazh butaforik, karagjoz dhe gënjeshtar, që quhet Lulëzim Basha. Nga ana tjetër opozita e vërtetë e vetëquajtur Rithemelimi, që përbëhet nga rreth pesëdhjetë deputetë dhe ka shumicën dërrmuese të demokratëve ka tre vjet që bën rrathë koncentrikë rreth kryetarit të saj të shpallur “të padëshirueshëm” nga SHBA, pa qullosur gjë për disa arsye:
1. Në çdo hap e vendim “Rithemelimi” nuk mbështetet e nuk zbaton statutin e ri. Nëse e kanë humbur njoh unë një që e ka.
2. “Rithemelimi” nuk njihet zyrtarisht në planin kombëtar dhe atë ndërkombëtar dhe pret e pret, si ariu anës rrugës të piqen goricat.
3. Ka në bazë struktura të shkoqura, të paorganizuara që nuk janë në gjendje as të sigurojnë praninë e demokratëve në kutitë e votimit megjithëse kanë mbi 600.000 vota.
4. “Rithemelimi” as e zë në gojë reformën zgjedhore ose bën sikur e zë. Aty puqen Berisha, Rama, Meta dhe Basha. Në fuqi mbetet ligji i vitit 2008, ku Kryetari i “Rithemelimit” është zot absolut i hartimit të listës. Kjo dobëson unitetin e demokratëve dhe bën që lista e kandidatëve për deputetë të përbëhet nga miq e shokë të kryetarit si përherë.
5. Nëse (ditët fluturojnë) “Rithemelimi” do të veshë sërish pantallonat e Polit të Lirisë në zgjedhjet vitin 2025 kjo do të shkaktonte kthimin e “Rithemelimit” në një shoqatë çfardo.
6. Grupi parlamentar i “Rithemelimit” sot paraqitet si një bashkim mekanik, me kryetarin si një polic trafiku, në një kryqëzim rrugësh, ku mungojnë semaforët dhe makinat lëvizin sipas dëshirës së shoferëve.
7. Grupi parlamentar duhet të mblidhet dhe sqarojë veten e demokratët mbi ç’baza u bashkuan, për Shqipërinë apo biznesin, pasi u shanë e u pështynë me libër shtëpie.
8. Kryesia e PD dhe Këshilli Kombëtar i “Rithemelimit” duhet të hartojnë një platformë të qartë bashkuese me njerëz vizionarë dhe të mençur dhe jo me dembelë, me njerëz të mykur, që ripërtypen e bëjnë komsomolasin tash 30 vjet. 80% e shqiptarëve e dinë që kjo qeveri është e korruptuar, por besimi të “Rithemelimi” ka rënë në kuota shumë të ulëta.
9. Skandalet që ka denocuar e denoncon “Rithemelimi” qëndrojnë dhe kanë vlerë por besimi i popullit nuk është rritur. Këtë duhet ta zgjidhë “Rithemelimi” sa më shpejt.
10. Ditë më parë Sekretari i Përgjithshëm i “Rithemelimit” doli e deklaroi se meqënëse nuk e mundin dot Partinë Socialiste kërkojnë një qeveri teknike për zgjedhjet e reja. Është një veprim qesharak dhe i nxituar jo si ide, por nga mënyra se si u servir. Këto vendime kaq të rëndësishme që kanë të bëjnë me të ardhmen e popullit shqiptar merren në forumet më të larta të “Rithemelimit” në bazë të diskutimeve serioze duke u mbështetur në statutin e ri. Si mund të bëhet kjo deklaratë pa u mbledhur, grupi parlamentar, kryesia apo kuvendi? Aprovimi i platformës dhe vendimi për zbatimin e saj hartohet, plotësohet, diskutohet në forume e bazë e pastaj miratohet e votohet. Partia funksionon në bazë të statutit. Lexojeni o deputetë e zbatojeni, mos na çudisni me vendime kafenesh apo ballkonesh!
© Gëzim Zilja




















