Blog

Mbi “debatin” rreth “qytetarisë” dhe “katundarisë” - Nga Ndue Ukaj

Të krenohesh se i përket një qyteti të Kosovës dhe ta përdorësh këtë si argument qytetarie, me pretendime megalomane, për të vendosë supremaci kulturore e për të përçmuar të tjerët, kjo së pari është injorancë e thellë, e së dyti, ky diskurs tregon se personat e tillë, që nuk janë pak ndër ne, janë të zhytur në ujëra të cekëta kulturore dhe nuk kanë lidhje me qytetërimin në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

Ata që e mendojnë qytetërimin si gjendje biologjik e gjeografike, kanë një mospërkim serioz me qytetërimin.

Duhet përsëritë shpesh, sepse kujtesa jonë është tmerrësisht e shkurtër: Kosova, për shkak të aksidenteve të tmerrshme historike, sundimit të gjatë osmano-komunist, nuk e ka asnjë qytet, në kuptimin mirëfilltë çfarë nënkupton lidhja mes qytetit e qytetërimit. 

Fatkeqësisht, asnjë qytet i yni nuk ka një trashëgimi në shenjë, si për shembull ajo që ka Shkodra, ku kanë gravituar idetë më të shëndetshme kulturore shqiptare, e prej ku kanë dalë punëtorët ma të shquar të kulturës shqiptare, që kanë lënë vepra e kryevepra të paçmueshme kulturore e artistike.

E për qytetari e qytetërim te ne flasin pikërisht ata që të vetmin element të qytetarisë mund ta kanë origjinën ose vendin ku banojnë, në disa ndërtesa të shëmtuara arkitektonike plot beton, e në rrugë të ngulfatura, ku është gati e pamundur të spikatësh diçka të bukur. 

Qytetaria e mirëfilltë, ashtu sikurse elitat e mirëfillta, ndërlidhen me cilësi dhe vlera te njëmendta, me punë e vepra fisnike dhe kurrsesi me vendin ku banon X ose Y e dokrra të tjera. 

Thjesht, qytetaria nuk është atribut as vlerë apriori, por diçka që merr domethënie përmes punëve fisnike e vlerave të spikatura, autentike dhe përmes njerëzve të ndjeshëm e të ndërgjegjshëm kundrejt Res Publica-s, pra të mirës së përbashkët. 

Ky “debat” rreth “qytetarisë” dhe “katundarisë”, të cilin e nxisin herë neoosmanët e neokomunistët, tregon sa i mjerë është mendimi për elitat dhe qytetarinë në vendin tonë, ku, këto koncepte shpesh reduktohen te biologjia ose gjeografia. 

E në fakt, elitat e një kombi a shteti, nuk kanë të bëjnë asgjë as me prejardhjen, as me gjeografinë, por me cilësitë krijuese, kulturore, intelektuale. 

Martin Camaj, njëri prej shkrimtarëve ma të mirë në botën shqiptare, pohon se ka lindë në nji vend “ku s'ka shkelë kurrë kama e kalit”.

Por pikërisht Camaj është ai që në Prishtinë, me 1953, e botoi librin e parë me poezi dhe me të filloi letërsia e mirëfilltë shqipe tek ne.

Pra Camaj i ka sjellë qytetërim e shkëlqim estetik Kosovës ma shumë se tufa pafund “qytetarësh” të zallamahisë sonë.

Asokohe, kur Camaj botonte poezi këta “qytetarët” tanë, me siguri kanë qitë petulla në ujë e kanë marrë frymë në tymnajën e thellë të prapambetjes.

© Ndue Ukaj

 

Tagged under Ndue Ukaj Flasshqip.ca