Dedikim njeriut pa emër, kryetarit të Partisë Hiç - Nga Milaim Nela
Erdhi pa asnjë kontribut në Partinë Demokratike në vitin 2004. U katapultua në postet më të larta duke marrë mbi vete meritat për punët kolegjiale, merita që nuk ishin të tijat dhe duke shmangur përgjegjësitë dhe gabimet në ministritë ku ishte vetë përgjegjës dhe titular.
Si ministër i Transporteve në projektin më të madh dhe më të rëndësishëm infrastrukturor të qeverisë demokratike u akuzua nga opozita e asaj kohe për një abuzim të paktën 200 milionë euro, proces të cilin e mbylli jo duke u përballur me drejtësinë, por me procedura si burracak. E kjo nuk i shkon një ministri të rëndësishëm të Partisë Demokratike.
Si ministër i Brendshëm pavarësisht se ishte titullar në ngjarjen e 21 janarit 2011 çuditërisht nuk u akuzua asnjëherë nga e Majta për 4 viktimat e asaj proteste të dhunshme.
Mori mbi vete meritat e heqjes së vizave të shqiptarëve kur në atë projekt përveç tij merita ishte e një ekipi të madh dhe profesionist gjigant të qeverisë demokratike.
U bë kryetar i Bashkisë së Tiranës jo me meritën e tij, por falë këmbënguljes së kryeministrit Berisha për rinumërimin e votave të pavlefshme.
Për arësye që nuk i ka shpjeguar asnjëherë braktisi Reformën territoriale në vitin 2014 pasojat e së cilës janë aktuale edhe sot.
Sabotoi protestën e Çadrës në vitin 2017 duke e përfunduar me një marrëveshje 5 orëshe kokë më kokë ku çoi përfaqësuesit e tij si titullarë ministrish, poste në të cilat nuk kishin fuqi ekzekutive as sa “Mbreti i Libofshës” e i raportonin Edi Ramës.
Pasojat dihet, një humbje spektakolare e Partisë Demokratike në zgjedhjet e atij viti.
La mandatet në Kuvend pa asnjë plan B për opozitën, por duke ia lënë fushën e lirë Edi Rames dhe klikës “rilindase” për të bërë ndryshime kushtetuese dhe të Ligjit zgjedhor, që në terma praktikë i garantuan “Rilindjes” mandatin pasardhës me pak shpenzime.
“Misionari” jo vetëm nuk mësoi nga gabimet, por bëri krimin tjetër ndaj të Djathtës duke braktisur zgjedhjet lokale të vitit 2019, zgjedhje që në terma realë i hapën rrugën Erion Veliajt për të rrëzuar Teatrin Kombëtar pasi siguroi shumicë absolute në Këshillin Bashkiak.
Udhëhoqi Partinë Demokratike në zgjedhjet e radhës të vitit 2021 jo për ti fituar ato, por për të dalë sërish në opozitë, për të vazhduar pasurimin e tij dhe familjarëve të tij.
E them këtë sepse ai pranoi modifikimet në marrëveshjen e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, pra heqjen e koalicioneve dhe duke fikur fushatën elektorale vetëm një jave para zgjedhjeve dhe në atë fushatë kishte praktikisht të njëjtën kompani (izraelite) që këshillonte edhe Edi Ramën.
Duket se “luftëtari” që proklamonte fillimin e betejave që nuk fillonte kurrë e kishte bërë planin për qeverisje “koalicioni të madh” me Edi Ramën. Ka shumë gjasa që kjo të ishte vendosur ne takimin 5-orësh të 17 majit.
Kur nuk arriti të bindte Dr. Berishën për këtë hap, atëherë i doli në ndihmë negociatori partner i 17 majit duke aktivizuar “non gratën” nga DASH.
Këtu ai tregoi anën e tij më të poshtër jo vetëm të pabesisë, por edhe të karakterit të tij si njeri ku në publik gjoja mbronte Doktorin me deklarata, ndërsa nën rrogoz përgatiste goditjen ndaj njeriut më të rëndësishëm të Partisë Demokratike nga krijimi i saj. Por pas 4 humbjeve në krye të opozitës i duhej mbështetja e Dr. Berishës për t’u rizgjedhur në krye të partisë të cilën e kishte dërguar nga humbja në humbje.
Pasi siguroi rizgjedhjen, atëherë mendoi se tani kishte ardhur koha për të prerë dorën që e kishte ngritur aty ku as nuk e kishte endërruar. Shpalli pezullimin e Dr. Sali Berishës nga Grupi parlamentar.
Kjo datë shënon goditjen më të rëndë ndaj Partisë Demokratike dhe braktisjen e demokratëve dhe mbështetësve, atyre që i kishte lënë burgjeve dhe stacioneve të policisë. Kujtoj këtu në veçanti edhe zhdukjen e provave të arrestimit në orën 3 të natës të protestuesve të Rrugës se Kombit nga ekipi i juristëve të tij.
“Misionari” nuk e fshihte më aleancën e hapur me Edi Ramën ku injoroi levizjen për dinjitet dhe ringjallje të demokratëve, lëvizje që u finalizua me kuvendin historik të 11 dhjetorit 2022, kuvend që e shkarkoi nga kryetar i PD.
Ky njeri malinj, pa asnjë diskutim shkatërruesi më i madh i opozitës shqiptare, pa pikën e turpit do të organizonte në Pallatin Kongreseve një të ashtuqujajtur kuvend ku pretendoi se u mblodhën 5004 delegatë në një sallë që mbante jo më shumë se 1958 vetë. Edhe ata që ishin në sallë shumica dërmuese ishin punonjës të Bashkisë së Tiranës dhe familjarë të mbështetësve të tij, pa asnjë të drejtë mandati për atë tubim.
Më 8 Janar të vitit 2023 do të blindonte ambientet e brendshme të selisë, seli në cilën dy ditë para kishte instaluar banda kapuçzinjsh të mbështetur me logjistikë nga bandat qeveritare e sasi gazi helmues nga ai i Sandër Kimikut.
Ndaj mbështetësve të partisë së tij do lëshonte një dhunë të paparë me gaz, shkopinj gome, dhunë kjo që do t’i ndiqte demokratët deri në bulevardin kryesor.
Pa pikën e turpit duke bashkëpunuar me Edi Ramën e zvarriti regjistrimin e kuvendit të 11 dhjetorit duke apeluar në kundërshtim flagrant me ligjin në gjykatat e rregjimit.
Këtë vazhdon ta bëjë edhe sot që po shkruaj këto radhë.
Sot kur si letër higjienike e ka hedhur edhe ai që e ka përdorur në mënyrën më të pështirë e më të pamëshirshme, ka mbledhur horrat e gjithë tranzicionit ku spikat Bamir Topi, Spartak Ngjela, Preç Zogaj, e figura të tjera qesharake, të cilëve as nuk dua t’iu përmend emrin, e pretendon të jetë opozitë, pretendon të jetë kryetar i opozitës.
Çfarë kllouni!
© Milaim Nela