Blog

Një moment për qartësi morale - Nga Dritan Goxhaj

Gjithkush që ka gjetur një moment në përditshmërinë e tij të hedhë një sy për të parë se çfarë bëhet në Gaza dhe lexon që numri i të vrarëve e ka kaluar shifrën e 33 mijë vetëve, ku 13 mijë prej tyre janë vetëm fëmijë, besoj i thotë vetes se mendja e atyre që e bëjnë këtë genocid ka zbritur në nivelin e bishave.

Shteti i Izraelit dhe udhëheqësia e tij zioniste kanë kaluar çdo lloj limiti që njerëzimi njeh që nga Lufta e Dytë Botërore e këtej për nivelin e masakrimit të një popullsie.   Mendja mbingarkohet kur shikon përmasat dhe ritmin e shkatërrimit në Gaza. Të gjithë ata që vërtet e kanë një kompas moral në këtë botë mbeten të shtangur dhe me të drejtë pyesin veten nëse Izraeli është çmendur zyrtarisht, ose shkatërrimi dhe masakrimi i civilëve palestinezë është pjesë e ndonjë strategjie të tij. Paradoksalisht, përgjigja është po për të dyja. Po Izraeli është çmendur dhe çmenduria e tij po përdoret në mënyrë racionale si një doktrinë e forcave të tij të armatosura.

Dhe ajo doktrinë quhet “Doktrina Dahija” (Dahiya).

Por çfarë është ajo?

Kjo doktrinë ka të bëjë me mungesën e sistematizuar dhe të qëllimshme të dallimit midis objektivit ushtarak dhe atij civil. Kjo doktrinë ka marrë emrin Dahija bazuar mbi emrin e një lagjeje në Bejrut të Libanit, të cilën forcat Izraelite gjatë luftës 30 ditore në 2006 me Hezbollahun e shkatërruan plotësisht, vetëm se aty banonin me familjet e tyre një shumicë e pjesëtarëve të Hezbollah për Bejrutin.

Kjo doktrinë është ideuar nga Gadi Eisenkot kur ishte komandant i Komandës së Veriut në Izrael gjatë luftës së 2006. Doktrinën e ka zhvilluar në 2008 kur thotë: “ajo që ndodhi në lagjen Dahija të Bejrutit në vitin 2006 do të ndodhë në çdo fshat palestinez prej të cilit do të sulmohet Izraeli. Ne do të aplikojmë një forcë joproporcionale mbi të dhe do të shkaktojmë dëme dhe shkatërrime të mëdha atje. Nga këndvështirimi ynë, këto nuk janë fshatra civile, por janë baza ushtarake”.

Dhe kjo nuk është diçka e veçuar në shoqërinë dhe ushtrinë izraelite, variacione të kësaj ideje përsëriten në shtetin e Izraelit që nga themelimi i tij.

Një nga gjeneralët izraelitë më të famshëm Moshe Dajan pat deklaruar: “Izraeli duhet të jetë si një qen i çmendur dhe shumë i rrezikshëm për t’u marrë me të”, ndërsa në 2008, ministrja e atëhershme e Jashtme e Izraelit Tzipi Livni pohoi se “trupat tona në Gaza u sollën si huliganë, gjë që unë ua kërkova ta bëjnë”. Dhe në përputhje me këtë ide ishte edhe kryeministri Ehud Olmert i cili thoshte “nëse do të ketë raketa kundër jugut të vendit, do të ketë një përgjigje të ashpër dhe jo proporcionale izraelite”.

I dhashë shëmbujt e mësipërm për të kuptuar se çmenduria është pjesë e mentalitetit shoqëror dhe ushtarak në shtetin e Izraelit. Në këtë mënyrë do mundemi ta kuptojmë më mirë se pse ata bëjnë atë çka janë duke bërë në Gaza.

Dhe e gjithë ideja e tyre e çmendurisë e konceptuar në 2008 në një doktrinë ushtarake - Dahija - përfaqëson idenë e përgjigjes joproporcionale kundër çdo lloj rezistence dhe nuk ka si qëllim precizionin, por vetëm për të treguar një nivel çmendurie dhe ndëshkimi, pasi ajo çka Izraeli po bën aktualisht në Gaza është: ndëshkim, poshtërim, terrorizim nëpërmjet genocidit ndaj popullsisë civile që guxon të jetojë në tokat e veta. Në këtë mënyrë duke mos e ndalur këtë veprimtari kërkon të ngulisë idenë në gjithë ata që po e shohin këtë masakër, se kjo do të jetë norma e sjelljes së shtetit të tij dhe gjithë Perëndimi dhe bota arabe që nuk lëvizin as gishtin për ta ndalur këtë, duhet dhe do të mësohen me një normë të tillë, e cila do të jetë norma morale e së ardhmes.

Tashmë duket se Doktrina Dahija dhe ideja e saj për t’i konsideruar civilët si objektiv ushtarak ka marrë qartësim të plotë. Kjo doktrinë tashmë po kthehet në doktrinë standarde të ushtrisë izraelite, por ajo që po shihet tashmë në Gaza është një tejkalim i kësaj doktrine, nga politikë vrastare në politikë genocidale.

Nëse ju kujtohet, 5 ditë pas sulmit të Hamasit të 7 tetorit në Izrael, Sekretari i Shtetit i SHBA Blinken vizitoi Izraelin dhe deklaroi: “Ky është një moment për qartësi morale”.

Po ky krim genocidal që po ndodh në Gaza a nuk mendoni se është një moment i tillë?

© Dritan Goxhaj