Blog

A e njeh Federata Shqiptare e Futbollit Kosovën e pavarur? - Nga Milaim Nela

Sporti i futbollit kishte ngelur ishulli i fundit ku shqiptarët bashkoheshin rreth ngjyrave kuq e zi për të mbështetur KOMBËTAREN shqiptare të futbollit. Por kjo deri ditën kur u publikua lajmi se Armando Duka, në cilësinë e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit i ka paraqitur UEFA-s kandidaturën e përbashkët të Serbisë dhe Shqipërisë për organizimin e finaleve të Kampionatit Europian U21.

Duke patur parasysh qëndrimin e autoriteteve të Serbisë ndaj ngjyrave kuqezi, shqiptarëve në përgjithësi dhe në veçanti ndaj bashkëkombasve tanë në Kosovë e viset e tjera shqiptare ku akoma nuk është tharë gjaku i derdhur në luftën e fundit, kjo është një goditje dhe autogol i pashembullt i Armando Dukës ndaj atyre qe e duan futbollin dhe mbështesin skuadrat shqiptare kudo dhe kurdo kur luajnë në ngjyrat kuq e zi.

Unë personalisht, dhe besoj edhe shumica e shqiptareve që e duan vendin akoma nuk ia kemi falur Armando Dukës fyerjen që u bëri shqiptarëve duke rënë dakord ta dërgojë skuadrën kombëtare të futbollit të luajë në Beograd në vitin 2014 të zhveshur nga simbolet kombëtare. Një akt ky i pashembullt që nuk ka ndodhur me asnjë ekip tjetër ne Europë apo në botë. Për këtë akt Duka duhej të ishte proceduar penalisht dhe dënuar për tradhëti kombëtare.

Akti më i fundit i Armando Dukës është një goditje e rëndë, e pabesë dhe mbas shpine për të gjithë ata futbollistë të trojeve shqiptare jashte kufirit administrativ të Shqipërisë që luajnë për ngjyrat kuq e zi.

Akti i Armand Dukës për të propozuar vend organizator Serbinë bashkë me Shqiperinë është fyerje për të gjithë sportadashësit shqiptarë që sakrifikojnë dhe e ndjekin kombëtaren shqiptare kudo nëpër botë.

Ky propozim i Dukës bëhet në kohën kur Serbia ka angazhuar të gjithë artilerinë e saj diplomatike brenda dhe jashtë vendit të saj kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës dhe kundër shtetësisë e pavarësisë së saj.

Me gjestin e Armando Dukës, Serbia iu thotë vendeve që janë në dilemë të votimit pro Kosovës ose jo, se ja shikojeni ne nuk kemi probleme me Shqipërinë, por vetëm me seperatistet dhe irredentistet në Prishtinë që ajo i quan shiftari.

Çfarë e pengonte Armando Dukën të propozonte si kandidatë të organizmit të finaleve të këtij Europiani Shqiperinë, Kosovën, e Maqedoninë e Veriut pasi janë të gjitha anëtare të UEFA-s dhe i kanë mundësitë dhe kapacitetet për organizimin e një aktiviteti të tillë?

A është investuar fort në këtë vendim vellai shpirtëror i Aleksandar Vuçiçit, Edvin Rama?

A po i paraprin ky integrim sportiv një integrimi më të madh politik të Shqipërisë nën Serbi? A është ky një hap i kalkuluar për vazhdimësinë e projektit famëkeq serb të “Ballkanit të Hapur”?

Ne kemi parë edhe organizime të tjera të mëparshme sportive të disa shteteve fqinjë, por në çdo rast ata kanë patur vazhdimësi territoriale e gjeografike. Duka në këtë rast anashkalon shtetet fqinjë dhe hidhet në Serbi.

Me këtë akt Duka iu thotë të huajve se Serbia është shtet fqinj dhe ka vazhdimësi territoriale me Shqipërinë, rrjedhimisht Kosova nuk është entitet i pavarur, por pjesë e Serbisë.

Ky gjest i Armando Dukës në prag të finaleve të Kampinatit Europian të Futbollit në Gjermani është një goditje e rëndë si për sportdashësit ashtu edhe për futbollistët tanë që japin jetën për fanellën kuq e zi.

Ky gjest iu jep të drejtën e Zotit futbollistëve shqiptarë ta braktisin kombëtaren në shenjë proteste ndaj këtij akti tepër fyes.

Armando Duka duhet të japë dorëheqje të parevokueshme nga posti i presidentit të FSHF-së ose duhet të tërheqë propozimin duke iu kërkuar falje shqiptarëve!

©️ Milaim Nela