Blog

Gabriel Escobar si Miladin Popoviç - Nga Enver Bytyçi

Gabriel Escobar ka kërkuar dje që Partia Demokratike e Shqipërisë e vitit 1990-1991 të zhduket nga skema e sistemit politik të vendit tonë. "Shqipëria, thotë ai, duhet të ketë dy parti politike që bashkëpunojnë me njëra tjetrën" dhe njëra prej tyre është Partia Socialiste e Edi Ramës e themeluar në vitin 1941. Tjetra një parti demokratike tjetër, jo ajo e vitit 1991.

D.m.th. të zhduket partia shqiptare e themeluar në vitin 1990 e të mbetet në pushtet partia e themeluar nga Miladin Popoviç në vitin 1941. Kjo është logjika e Escobar!? Sipas kësaj logjike diplomati amerikan preferon që në Shqipëri të ushtrojnë aktivitetin politik vetëm partitë politike proserbe dhe në politikën shqiptare të mbijetojnë vetëm ata që brohorasin për Serbinë e kundër Kosovës dhe Shqipërisë.

Ba me e lexu këtë opinion, Escobar do të thotë se kjo që po shkruaj unë është shpifje. Atëherë kush je ti zoti Escobar që u përcakton partive politike se kë duhet të zgjedhin në krye? Të ishte guvernator i Shqipërisë, unë do të isha më i lumtur se sa në këto kushte. Sepse si guvernator do mbaje përgjegjësi.

Së dyti, dua t'i kujtoj atij se autori i famshëm Neale Donald Walsch në librin e tij "Bisedë me Zotin" i ka drejtuar Perendisë edhe këtë pyetje: Pse i le njerëzit të gabojnë e ta vështirësojnë jetën e tyre?

Zoti i përgjigjet: Unë i kam sjellë njerëzit në jetë si qenie të lira. Nëse unë do u diktoja atyre se çfarë të bëjnë, atëherë ata nuk do të mund të jetonin në lirinë e tyre.

Zoti i madh nuk pranon të diktojë se çfarë duhet të bëjnë njerëzit e lirë. Gabriel Escobar i dikton shqiptarët se kë duhet të zgjedhin në politikë. Imagjino deri ku shkon arroganca!

Më kujtohet thirrja që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u bëri shqiptarëve më 20 prill 2021 që të votojnë Edi Ramën. Sepse po të votoni opozitën e Partisë Demokratike, thoshte Vuçiç, ju votoni Sali Berishën. E pati shpallur hapur, si asnjë lider politik i mëparshëm i Serbisë, preferencën për Edi Ramën dhe urrejtjen për Sali Berishën.

Çfarë ndryshon sot deklarata e Escobar nga deklarata e Vuçiç para më shumë se tri vitesh?

© Enver Bytyçi