Blog

Ping-pong ose futboll - Nga Artan Fuga

Si FSHF na lë dopjo gjashtën në dorë

Pasi e deklaruam Ballkanin e hapur të mbyllur, tani rihapet çështja e Ballkanit të hapur në futboll, ku Federata e Futbollit del me propozimin gjigand që të organizojë Kampionatin Evropian, finalet, në hapësirën Shqipëri-Serbi. Ky i ngjan një autogoli me rafishiatë, ku topi përfundon drejt e në trekëndëshin e portës së vet.

Nuk e di se çfarë e shtyn Federatën ta bëjë këtë propozim me Serbinë dhe a janë marrë vesh me Federatën e Futbollit të Serbisë? Se vetëm Federata jonë e nderuar nuk mund ta organizojë kampionatin, finalet, në Serbi, pa mbështetjen madje edhe të shtetit serb. A e ka provuar ta marrë këtë pëlqim?

Mbetet e pakuptimtë se përse nuk e organizon në bashkëpunim ta zemë me Bosnjën, ose me Kroacinë, a me Slloveninë, a me Greqinë, por direkt bash me Serbinë.

Unë mendoj se anëtarët e këshillit drejtues të Federatës e kuptojnë se duhet të marrin edhe përlqimin e Ministrisë sonë të Jashtme, sepse nuk është çështje: “O me, se futboll do lujm. Dy porta dhe një top”.

Se poqese organizohet kjo duhet edhe bashkëpunimi midis Policisë serbe dhe Policisë së Shqipërisë për të mbajtur rendin, pa duhet edhe bashkëpunimi i shërbimeve sekrete sepse lloj-lloj provokuesish ka. Për të mos thënë një bashkëpunim edhe me investimet shtetërore për stadiume etj.

Si nuk u vete mendja se na duhet gjithashtu edhe pëlqimi i Kosovës, sepse skuadrat, tifozët, edhe nga territori kosovar do të kalojnë, na duhet pra edhe bashkëpunimi me Policinë e Kosovës, madje edhe me Forcat Ndërkombëtare të Sigurisë?!

Si nuk u vete mendja të bëjnë një kampionat futbolli të përbashkët Kosovë-Shqipëri, çka do të ishte një perlë, por hidhemi drejt e në një shtet më larg te Serbia?!

Vërtet çudi!

Dhe si mendon Federat ta marrë këtë risk, kur ende zona nuk ka fituar paqëtimin e duhur, kur kaq shumë probleme mbeten hapur, çka shtetet e tjera duhet të pranojnë që finalet e Evropianit të luhen midis dy hapësirave të kthyera në një të përbashkët, pra asaj serbe dhe asaj shqiptare?

Popujt dhe vendet e Ballkanit sigurisht duhet të jetojnë paqe dhe bashkëpunim, si në sport, arte, ashtu edhe në tregëtinë me shumicë, por nisma si kjo, me risk shumë të lartë, pa nisur në fillim të pranohen shkëmbime ekipesh futbolli që ndeshen me njeri-tjetrin dhe që tifozëria të mësohet si të pranojë futbollin e tjetrit dhe tjetrin si dashamirës sporti, jashtë ngjyrave politike, duket si një tullumbace e fryrë që fluturon mbi një fushë me gjëmbaçë.

Veç mos qoftë, siç kujtimet ma sjellin, kur shkrirja e akujve mes Kinës dhe SHBA nisi me shkëmbime lojërash ping-pongu.

Kur kinezët luajnë ping-pong përse ne mos luajmë futboll?!

Mua më kujtohet se edhe në Shqipëri është bërë politikë me futboll. Atëhere kur vinte kombëtarja e futbollit e Kinës dhe bënte ndeshje te “Qemal Stafa” dhe ndeshja përfundonte 5 me 5?!

Po të bënin një ndeshje me kombëtaren serbe, përse të mos dilnim ta zemë 6 me 6?

Ose domino ku ky propozim i lë opinionit publik dopjo gjashtën në dorë. Dhe gazetarët që largqoftë të bëjnë pyetjet e duhura.

© Artan Fuga