Blog

“Këshillëdhënësit” qesharakë të diasporës - Nga Enver Robelli

Zbret shqiptari nga avioni në aeroportin e Prishtinës, merr valixhe(t) dhe drejt te mikrofoni i gazetarit për të zbrazur një batare kundër Gjermanisë. Ose Zvicrës. “Nuk e dini ju sa keq është atje”. “O nuk dua të jetoj atje”. “Keq është shumë atje”. E kështu me radhë.

Del tjetri dhe ia përplas publikut krejt hallet personale, pa e pyetur kush fare. Tregon për sëmundjet që po e mundojnë. Për ilaçet që po merr. Për terapitë. Dhe për krejt paratë që po harxhon.

Pastaj shfaqet bashkatdhetari tjetër dhe, pasi përbuz Gjermaninë, ku, sipas tij, s’bën të jetohet, tregon sa mirë po jeton atje, me shtëpi e me jaht e me krejt të mirat.

I pashmangshëm është edhe përfaqësuesi i diasporës që jep këshilla nga pista e aeroportit se si duhet rregulluar punët e Kosovës - këshilla falas për popullin e Kosovës.

Populli i Kosovës, të dashur “këshillëdhënës” nga diaspora, nuk jeton pas hënës. Jeton në Europë. Ka qasje në informacion. Qasja në internet në Kosovë është më e mirë se në disa vende të Bashkimit Europian. Populli i Kosovës ka mundësi të udhëtojë. Sidomos në qytete të mëdha të Kosovës ndoshta nuk ka njeri nën moshën 40-vjeçare që nuk di së paku një gjuhë të huaj. Askush nuk ka nevojë për këshilla falas dhe qesharake nga diaspora.

Më së lehti do të ishte të fajësoheshin gazetarët që ua mbajnë mikrofonin personave të tillë. Në të vërtetë personat e tillë do të mund të thoshin diçka të mençur. Atëherë të gjithë do të ishin të kënaqur.

Derisa flasin marrëzi, përherë një kamera dhe një mikrofon do të jenë aty. Por, siç u tha, nuk është e ndaluar të thuhet edhe diçka e mençur nga pista e aeroportit të Prishtinës.

© Enver Robelli