Puthjet në ballë!
- Published in Jetë dhe stil
Rastisim në ndonjë bar, apo edhe rrugës, apo edhe në një stacion autobuzi të shohim cifte që puthen në buzë, në qafë, në vesh, në sup, apo faqe. Uroj të mos mendoni për ne se jemi pasardhësit e moralistit Savonarola. Jemi pro shprehjes së dashurisë, në mënyrat më të larmishme të mundshme, mjaft që ajo të shprehet. Por vëzhgimeve tona në itineraret e përditshmërisë u kanë munguar puthjet në ballë.
Sipas zakoneve të shoqërisë shqiptare, puthja në ballë ka qenë një element i rëndësishëm i shfaqjes së ndjenjave për dikë. Po ti referohemi filmave të periudhës së komunizmit, kujtojmë fragmente të puthjeve në ballë në marrëdhëniet mes dy të afërmëve. Madje edhe në letërsinë e asaj kohe do të lexonim ndër rreshta fraza si: “Ai e puthi lehtë në ballë dhe më pas e përcolli me sy deri sa autobuzi u largua pas kthesës”. Duke ditur faktin se në atë kohë ishin të ndaluara skenat erotike, fare mirë mund edhe të mos zgjidhej puthja në ballë për të shprehur një ndjenjë. Por ajo është përdorur gjerësisht për shkak të larmisë së domethënies. Puthja në ballë mund të jepet mes të dashurve, por edhe mes anëtarëve të familjes dhe efekti do të ishte po i njëjtë, dashuri dhe siguri, respekt, nderim dhe kujdes. Duke të puthur në ballë personi i afërt dëshiron të japë informacionin se ka merak për ty dhe do të kujdeset për ty, do të të mbrojë dhe do të dojë. Nëse të puth partneri në ballë ai po të thotë: “të dua dhe ti je e imja”.
Djemtë ose burrat mund të mos e dinë ose të mendojnë gjatë kur puthin në ballë, por në fakt një vajzë ose grua, e pëlqen këtë puthje. Ajo do të mendojë se sa speciale është. Por mund të mos jetë kështu nëse personi që puth në ballë është më i gjatë se personi që po puth. Ai ndoshta zgjedh të puth ballin për shkak të distancës më të shkurtër në krahasim me buzët. Ose është me nxitim dhe një puthje në ballë është me e shpejtë se në vend tjetër. Ose ndoshta arsyeja mund të jetë më e thjeshtë se kaq. Atij i pëlqen kjo lloj puthjeje. Eh..ç’rëndësi ka arsyeja. Rëndësi ka të të puthë edhe në ballë!
©Flasshqip.ca











