Stil & Jetë

Çaji, jo vetëm një pije e kinezëve - Nga Eda Merepeza

Çaji nuk është vetëm një pije për kinezët, por edhe një përbërës i ushqimit të tyre. Në veriperëndim të Kinës edhe në ditët e sotme çaji përdoret si ushqim i përditshëm. Ata përziejnë gjethet e çajit me vaj dhe me xhenxhefil, kripë apo susam e fasule. Por në disa raste çaji përzihet me hudhra dhe përbërës të tjerë për të shoqëruar orizin. Ndërsa në lindje të Kinës ku rritet me shumicë çaji jeshil, ka gatime të veçanta me gjethet e këtij çaji të famshëm.

Kinezët përgjithësisht e pinë çajin në dy mënyra. Disa e pinë thjesht për shijen e tij të veçantë, të cilës i shtojnë sheqer, qumësht, limon, mente, lëkura portokalli apo kripë. Ndërsa mënyra tjetër e pirjes së çajit është thjesht duke zier gjethet e tij në ujë të valuar, pa shtuar asgjë, thjesht duke shijuar çajin. Kjo e dyta quhet “pije e pastër e çajit”, me të cilën disa shuajnë etjen, disa adhurojnë aromën ngjyrën apo shijen e çajit, që sigurohet në sajë të cilësisë së ujit me të cilin përgatitet. 

Kinezët kanë një mënyrë të tyren për pirjen e çajit. Pirja e çajit nga kinezët varion nga e thjeshta te më e sofistikuara. Në fillimet e përdorimit të çajit, kinezët hidhin gjethet e çajit direkt në ujin e valuar, ashtu si Shen Nung. Më pas me përmirësimin e prodhimit të çajit, njerëzit nisën të mblidhnin gjethet, duke bërë me to një lloj keku dhe duke shtuar ujë kur e përgatisnin atë. Në dinastinë Ming keku në formë çaji u zëvendësua me gjethet që hidheshin në ujë të valuar, duke vazhduar kështu deri në ditët tona.
Është dokumentuar se qysh në vitin 2000 p.e.s, në provincën Sichuan, në jugperëndim të Kinës u prodhuan gjethet e çajit, të cilat iu dhuruan familjes mbretërore Zhou. 

 

Disa studiues janë të mendimit se zbulimi dhe përdorimi i gjetheve të çajit daton rreth 10 mijë vjet më parë. U desh një kohë relativisht e gjatë që çaji të pranohej si pije. Por më pas çaji u bë mjaft i rëndësishëm në mjekësinë tradicionale, madje shumë i rëndësishëm në përdorimin e tij të përditshëm, si pije dhe ushqim.
Mënyra më e lashtë e përdorimit të çajit ka qenë këputja e gjetheve të tij nga pema dhe përtypja e drejtpërdrejtë në gojë, ashtu siç bëri dhe Shen Nung.

Sipas librave të lashtë në periudhën e Pranverës dhe Vjeshtës (770-476 p.e.s) një këshilltar i quajtur Yan Yin zakonisht ushqehej me oriz dhe pak mish, të shoqëruar me Ming (që nënkuptonte gatimin me çaj, në kinezisht).

(fragment nga libri "Kultura e çajit në Rrugën e Mëndafshit" nga Eda Merepeza)