Stil & Jetë

Reagimet psikologjike ndaj COVID-19: Pse janë të rëndësishme?

Ilustrimi  nga Business Insider

Përgatiti: Jeta Dedja

Faktorët psikologjikë luajnë një rol të rëndësishëm në mënyrën se si njerëzit dhe komunitetet reagojnë ndaj sëmundjes dhe menaxhojnë përhapjen e saj.

Disa njerëz e nënvlerësojnë kërcënimin e COVID-19 duke menduar se rreziku është i ekzagjeruar. Ata mund të mos praktikojnë higjienë të mirë dhe nuk rrinë në shtëpi nëse janë të sëmurë. Por këto sjellje ndihmojnë që infeksioni të përhapet tek familjarët dhe miqtë.

Për të vlerësuar me saktësi rreziqet e COVID-19, shikoni faqet e internetit të Organizata Botërore e Shëndetit (WHO) ose Agjencinë e Shëndetit Publik të Kanadasë (shiko më poshtë për lidhje me burimet e azhurnuara).

Nga ana tjetër, disa njerëz mbireagojnë ndaj kërcënimit të COVID-19, duke shfaqur shumë shqetësim për infeksionin dhe mund të mbajnë shumë distancë për ta mbajtur veten të sigurt. Ata mund të bëhen ksenofobë (d.m.th., të tremben pa arsye nga të huajt), mund të veshin pa nevojë maska mbrojtëse. (Ndërsa mbajtja e një maske mund t’ju ndalojë të përhapni infeksionin tuaj tek të tjerët, maskat nuk janë efektive për t'ju mbrojtur të infektoheni nga dikush tjetër). Disa të tjerë mund të grumbullojnë furnizime me ushqime dhe gjëra të tjera të nevojshme për jetesën.

Ky lloj reagimi shton frikën tek të tjerët, sepse frika është ngjitëse. Për më tepër, duke blerë e mbledhur sasi të mëdha ushqimi, letrash higjienike ose antibakterial duarsh, të cilat jo të gjitha do t’i përdorni, ju do të pengoni të tjerët që të sigurojnë pak nga këto produkte.

A duhet të jemi të qetë? Çfarë mund të bëjnë njerëzit për të qëndruar të qetë?

Dëgjoni këshillat e autoriteteve shëndetësore të tilla si OBSH dhe Agjencia e Shëndetit Publik të Kanadasë (PHAC) për më shumë informacione në lidhje me COVID-19.

Ndryshoni mënyrën e larjes së duarve, mos prekni fytyrën tuaj, ndryshoni mënyrën se si i takoni njerëzit, pa puthje e përqafime, kujdes kur kolliteni.

Njëfarë shqetësimi ose ankthi është i arsyeshëm, por përpiquni të vazhdoni me jetën tuaj të përditshme sa më shumë që të jetë e mundur pa e ekspozuar veten në rreziqe të panevojshme. Angazhohuni në sjelljet tuaja të zakonshme që promovojnë mirëqenien tuaj; thjesht bëni kujdes. Për shembull, nëse keni informacion që në komunitetin tuaj nuk ka virus, dhe ju shkoni në palestër, lani duart para dhe pas përdorimit të pajisjeve dhe bëni dush.

Mbajini gjërat në perspektivë duke konsultuar burimet e informacionit që janë të ekuilibruara dhe të bazuara në prova, të tilla si OBSH dhe faqja e internetit e PHAC (shiko lidhjet më poshtë). Kini parasysh se imazhet grafike në internet, ose thashethemet në mediat sociale, mund të ekzagjerojnë kërcënimin aktual.

Mos harroni, për shembull, që imazhet e rafteve të zbrazëta në supermarkete janë vërtet tërheqëse të vëmendjes, por nuk janë domosdoshmërisht të zakonshme. Askush nuk poston imazhe të rafteve të plota dhe blerësve të qetë, sepse ato imazhe nuk përbëjnë lajm. Nëse ndiheni në ankth kur ndiqni lajmet ose mediat sociale, kufizoni ekspozimin tuaj ndaj tyre.

Frika është ngjitëse. Nëse frika shoqëron sjelljen tuaj duke u kredhur në panik, atëherë edhe të tjerët do të reagojnë me frikë. Ju keni një përgjegjësi ndaj të dashurve tuaj, miqve dhe pjesës tjetër të komunitetit që të përballoni shpërthimin e COVID-19 në një mënyrë të arsyeshme dhe me ndjeshmëri. Mundohuni të "udhëhiqni me shembullin personal".

Kujtoni veten se kriza aktuale do të kalojë, dhe jeta do të kthehet në normalitet.

Si mund të dalloj nëse duhet të kërkoj ndihmë profesionale për stresin apo ankthin në lidhje me COVID-19?

Shihni për shenja paralajmëruese si në vijim:

  • Ankth i vazhdueshëm, shqetësim, pagjumësi ose nervozizëm.
  • Shmangie sociale të panevojshme deri në atë pikë sa të izoloheni fare.
  • Kontroll të vazhdueshëm të trupit (p.sh., mat temperaturën shumë herë në ditë) ose kërkon vazhdimisht siguri për shëndetin tuaj nga mjekët, miqtë, familja ose Interneti.
  • Marrja e masave të tepërta ose të panevojshme të higjenës, të tilla si mbajtja e maskës së fytyrës në shtëpi ose larja e përsëritur e duarve kur nuk ka nevojë për ta bërë këtë.
  • Abuzimi me alkoolin ose drogën, ose mbingrënia, si një mënyrë për të përballuar stresin.
  • Miqtë ose familjarët ju thonë se ju dukeni tejet të shqetësuar ose stresuar.

Nëse rezultoj me simptoma të ankthit/stresit, si mund të marr ndihmë?

Trajtimet psikologjike mund të jenë shumë efektive, ndonjëherë më të efektshme sesa ilaçet, për të ndihmuar njerëzit të çlirohen nga ankthi. Për të gjetur një psikolog, mund të drejtoheni për rekomandim në klinikën e lagjes ose tek mjeku i familjes.

Ku mund të marr më shumë informacion?

World Health Organization

Public Health Agency of Canada

 

Burimi: Shoqata e Psikologëve Kanada

Mars, 2020

©FlasShqip.ca