Stil & Jetë

Receta nga Kanadaja: Gatuan Arben Kallamata

Spageti me Avokado, Domate të vogla dhe Zukini - gatuar nga Arben Kallamata

Pas një ftese publike që FlasShqip i drejtoi komunitetit shqiptar në Kanada për të ndarë mes njëri-tjetrit receta gatimi në këtë kohë qëndrimi në shtëpi, i pari iu përgjigj thirrjes publicisti dhe shkrimtari Arben Kallamata.

“Nxitova t'i përgjigjem i pari sfidës, për të vërtetuar që edhe ne burrat gatuajmë. Më poshtë është një pjatë e thjeshtë vegan por shumë e shijshme”-shkruan Kallamata.

Spageti me Avokado, Domate të vogla dhe Zukini.

Gati për 20 minuta.

Përbërësit
Për salcën:
1 avokado e madhe (ose dy të vogla)
2 thelpinj hudhër
1 gotë majdanoz të njomë
1 limon të shtrydhur
Pak piper të zi
1 lugë kafeje borzilok i thatë
Kripë

Spagetit:
Një çerek kg spageti
1 gotë domate të vogla
1 zukini mesatar

Përgatitja

Fillimisht bëjmë gati salsën. I përmbledhim të gjithë përbërësit në një blender (unë përdor Magic Bullet) dhe i përzjejmë deri sa të krijohet një si pure jo shumë e trashë. Po ta doni më të hollë, mund t’i hidhni pak më shumë piper.
Lëreni mënjanë deri sa të bëhen gati spagetit.

Përgatitja e Spagetit

Fillimisht zjehen spagetit sipas dëshirës.
Gjatë kohës që zjejnë spagetit, filloni të prisni zukinin në rripa të hollë. Ndajeni në fillim në katërsh. Pastaj çdo pjesë vazhdojeni ta ndani në rripa të holla, mundësisht aq të holla sa spagetit. Kjo punë bëhet mirë me një pajisje që quhet “spiralizer”, por ne mungesë të saj mund të bëhet me thikë. Unë e bëj me thikë.

Në një tigan hidhni pak vaj ulliri dhe ngroheni në ngrohtësi mesatare. Pastaj hidhni në tigan domatet e vogla. Prisni sa të marrin nga një faqe, por mos i lini sa të shpërthejnë. Pastaj hidhni sipër zuchinin dhe kaurdisini derisa të lëshohen pak.

Me të zjerë spagetit, derdheni ujin (unë nuk i shplaj) dhe pastaj hidhini në tigan ku keni domatet dhe zuchinin. Më pas hidhni edhe salsën. Përzjejini mirë. Tani gjithçka është gati.

Kur i shërbeni mund t’iu hidhni sipër pak piper të zi, gjethe të njoma borziloku dhe kripë, sipas shijes.

FlasShqip mirëpret receta të tjera!

Toronto, 27 mars, 2020