Stil & Jetë

Receta nga Kanadaja: Gatuan Bedrije Rexhepi

Në rubrikën e sotme “Receta nga Kanadaja”, merr pjesë artistja kosovare me banim në Halifaks, Bedrije Rexhepi. Ajo tregon se si bëhen Mantijet e Kosovës, një gatim tradicional i kuzhinës kosovare, tepër i pëlqyer nga fëmijët dhe të rriturit. Mantijat mund të bëhen me mish, perime ose bulmet. Është në preferencën tuaj mbushja. Bedrija sot na tregon Mantijet me mish.

Mantija kosovare

Përgatitja e harxhit

1 kg qep të vjetra i grin me dorë, pastaj e vë tenxheren në zjarr dhe i hedh vaj 250 ml. Pasi nxehet pak vaji, shton qepët e grira dhe i përzjen deri sa të marrin ngjyrë ari. Pastaj i hedh 1 kg mish të grirë viçi apo lope. Shton një lugë kripë, gjysëm lugë veget, gjysëm luge spec të kuq dhe i përzien së bashku deri sa të bëhet gati taman për ta ngrënë, E largon nga zjarri dhe i hedh piper të kuq sipas dëshirës dhe e lë të ftohet.

Përgatitja e brumit

Zë brumin me 1 kg e gjysëm miell, pak kripë, e me ujë të ngrohtë me temperaturë sa e duron dora. E punon me dorë brumin deri sa të ndahet brumi nga dora. E pjesëton brumin në 3 kuleçë. E lë brumin të pushojë së paku gjysëm ore deri sa të zbutet mirë dhe hap cdo kulaç në 10 petë në madhësinë e një pjate. I lyen me gjalpë ose vaj dhe i vendos mbi njëri-tjetrin ne tre dhjetëshe. I hap kështu të bashkuar me okllai njëlloj si për petë byreku. Pasi i mbaron i pret në copa katrore ose i lë siç janë, i hedh një lugë mbushje nga mishi i përgatitur, i mbështjell dhe i vendos në tepsi. I fut të piqen në furrë të ndezur më parë ne temperaturë 250 gradë celcius derisa të marrin ngjyrën e pjekjes.

 

28 mars, 2020

©FlasShqip.ca