Stil & Jetë

Receta nga Kanadaja: Gatuan Ardian Radovicka

Hasude nga Ardiani

Si e premte mbasdite mbas ditës së 10-të në shtëpi bëra një shëtitje të gjatë në lagje. Kur po kthehesha më shkoi mendja për një ëmbëlsirë të lehtë. Vendosa të bëj një hasude, të cilën e përgatita si më poshtë vijon:

Mora 1 gotë niseshte dhe 2 gota ujë të ftohtë i përzjeva duke i trazuar në një tas. Ndërkohë në zjarr të mesëm vendosa tiganin ku shtova 1 filxhan vaj dhe 1 gotë sheqer kaf, të cilin e përzjeva me lugë druri pak fare sa të marrë ngjyrë e të mos ngjisë.

Shtova aty një lugë kanellë. Ndërkohë çava arrat dhe i lashë gati për në fund.

Mora niseshten që kisha tretur në ujë e hodha sipër te vaji me sheqerin duke e trazuar me lugë druri që mos bëhet topa-topa.

Ngadalë ajo fillon edhe bëhet një masë homogjene sa shkëputet nga tigani dhe yndyra qëndron veç nga hasudja. Sa është e ngrohtë mora një lugë të lagur me ujë e fillova ta ndaj me topa në një pjatancë.

Në fund i vendosa arrat sipër dhe është gati të shërbehet pasi të ftohet pak.

Kjo recetë i përgjigjet ftesës së portalit FlasShqip për të postuar receta gatimi në rubrikën e re “Receta nga Kanadaja”.

 

Toronto, 2020

 

FlasShqip.ca