Receta nga Kanadaja: Gatuan Ina Xoxa
- Published in Jetë dhe stil
Ekskursionet me shkollën jane nga kujtimet e mia më të veçanta të fëmijërisë. Rrija deri natën vonë në dritare, vështroja qiellin dhe mundohesha të parashikoja kohën për të nesërmen, pasi ekskursioni anullohej nëse do të binte shi. Nuk përshkruhej gëzimi i zgjimit nga gjumi të nesërmen, me aromën e piteve të mamit ndërsa vinte në dhomën tonë me hundën e pudrosur me miell e na thoshte: Zgjohuni goca se ka "dal dilli". Pitet ishin “our family signature ", dhe të gëzuara i bashkoheshin picetës së madhe të gatimeve të tjera të shokëve të mi mbi lëndinat plot lule të Arave të Havasë në Malin e Hamalloit në Veri të Sarandës. Pitet e mia udhëtuan edhe në Kanada bashkë me mua e fëmijët e mi i shijonin ndërsa luanin në parqet natyrore të mrekullueshme të Ontarios. Unë do doja të ndaja me lexuesit e FlasShqip recetën e piteve të shtëpisë sipas stilit të mamasë sime.
Përbërësit:
- Miell (sa të bëhet një brumë i butë elastik)
- Vezë 2-3 kokrra
- Sodë buke (baking powder) 1 paketë 15g
- Hirrë djathi me disa copa të thërrmuara djathi që zakonisht ngelen në enën plastike të djathit-2 filxhanë çaji
- Kos-1 filxhan (Astro Balkan style 3% ose 2%)
- Kripë, pak sheqer - një lugë kafeje
- Pak ujë (1-2 filxhan kafeje)
- Vaj- 2 gisht në tigan (të zhytet pitja)
Metoda:
Ideale do të ishte që të gjithë përbërësit të jenë në temperaturën e ambjentit. Në një tas të madh rrahim vezët me kripë dhe sheqer shtojmë pak nga pak (jo të gjithë sasinë njëherësh) kosin, hirrën dhe ujin duke I përzier/rrahur me pirun.
Shtojmë miellin përzier me sodën. Shtojmë aq miell sa të bëhet një brumë elastik të cilin e punojmë me duar. E lëmë 20 min mbuluar me picetë dhe më pas e punojmë prapë dhe shkëputim me duar një top brumi sa të hapim një pite me diametër sa një tigan mesatar. E hapim me dorë mbi tavolinë ose në tepsi ose me petëz.
Ndërkaq vëmë tiganin me vaj të nxehet në temperaturë mesatare. Ndërsa një pite fillon të skuqet përgatit tjetrën e kështu me rradhë. Nëse vaji nxehet shumë e heq pak nga vatra ose ul nxehtësinë. Pitet skuqen nga të dy anët dhe vihen njëra mbi tjetrën në një pjatë të sheshtë. Nuk thithin fare vaj.
Shërbehen të ngrohta ose të ftohta me djathë (ose zgjedhja juaj). Ideale për mëngjes në fundjave, për piknik etj.
***
Na ndiqni çdo ditë në FlasShqip për receta të tjera në rubrikën “Receta nga Kanadaja”. Kush dëshiron të ndajë një recetë gatimi me lexuesit tanë, të na shkruajë në Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.
31 mars, 2020
©FlasShqip.ca











