Stil & Jetë

Receta nga Kanadaja: Gatuan Edlira Çini

Po jap dhe unë kontributin tim në këtë rubrikë të këndshme që FlasShqip ka nisur prej një jave. Receta që do të ndaj sot me ju është sa e thjeshtë aq edhe e kërkuar nga ne shqiptarët. Unë e gatuaj pothuajse çdo të diel në mëngjes gjatë muajve të dimrit. Besoj se ju ka shkuar tashmë ndër mendje se për ç’ushqim bëhet fjalë? Po, e gjetët…Trahanaja.

Sigurisht që e marr të gatshme nga Shqipëria, por ndonjëherë edhe këtu në Toronto në dyqanet greke.  Edhe pse trahanaja gatuhet pothuajse njëlloj nga të gjitha krahinat, janë disa devijime të veçanta që e personalizojnë.

Përbërësit 

  • 1 gotë (500 ml) trahana të thartë
  • Ujë të zjer
  • Djath të bardhë
  • Vaj ulliri ose gjalp
  • Bukë të thekur
  • kripë 

Përgatitja (15-20 minuta) 

Fillimisht, një natë përpara e vëmë trahananë në ujë me temperaturë dhome. 

Në mëngjes bukën e presim në kubik si për përshesh, e spërkasim me vaj ulliri dhe rigon dhe e futim në sobë me temperaturë 400 F për t’u thekur.  Koha varet nga dëshira juaj sa të thekur e doni.

Ndërkohë kemi vënë një tenxhere me ujë për t’u zier. Derdhim ujin e trahanasë ku ka qëndruar një natë më përpara. Marrim dy-tre qepshe ujë të zier dhe e hedhim duke e përzier trahananë në mënyrë që mos të bëhet me kokrriza. 

Në një tenxhere tjetër shkrijmë pak gjalp dhe sipër hedhim trahananë duke e përzier e duke hedhur ujë të nxehtë nga tenxherja. Ujin e hedhim gradualisht për të ruajtur trashësinë apo hollësinë që dëshirojmë. I hedhim kripër sipas dëshirës dhe e lëmë të ziej vetëm 3-4 minuta duke e përzier.

Bukën e thekur e hedhim nëpër pjata.  Sipër e mbulojmë me 2-3 qepshe trahana. Mund të djegim pak gjalp me piper të kuq ose vaj ulliri për t’ja hedhur sipër. Sigurisht e përfundojmë me djathin e bardhë.

Mos u çuditni kur t’ua pëlqejnë dhe fëmijët!

***

Na ndiqni çdo ditë në FlasShqip për receta të tjera në rubrikën “Receta nga Kanadaja”. Kush dëshiron të ndajë një recetë gatimi me lexuesit tanë, të na shkruajë në Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo. 

2 prill 2020

©FlasShqip.ca