Receta nga Kanadaja: Gatuajnë Anila dhe Eneida Kati
- Published in Jetë dhe stil
Unë jam Anila Erindi Kati, inxhiniere në profesion por e apasionuar pas gatimit. Iu përgjigja ftesës së FlasShqip për të marrë pjesë në rubrikën “Receta nga Kanadaja”, bashkë me vajzën time Eneidën. Ne hulumtojmë receta te ndryshme, dhe ndjekim rregullisht emisione të posaçme si “Food Network”, Cutthroat Kitchen, “You got to eat here” por dhe kuzhinierët me emër si Bobby Flay, Guy Fieri, Giada de Laurentis, Ina Garten e shume të tjerë.
Prej emisioneve zgjedhim shijet tona të preferuara dhe mundohemi të eksperimentojmë me ingredientët. Sot na thirri tradita shqiptare, pasi na kishte vajtur mendja për qofte me patate.
Këto qofte më kthejnë pas në kohën kur isha 13 vjeç dhe bashkë me një shoqen time shkonim tek punishtja ku mami i Loris ishte shefe kuzhine. Atje mund të hanim ç’të na donte qejfi, por mua syri më shkonte te qoftet me patate.
Ngaqë më pëlqenin aq shumë, i mësova t’i bëj siç më shijojnë. Po ua tregoj dhe juve.
Receta: Qofte me patate
Marrim një kg me patate të bardha i qërojme dhe i ziejme, deri në një zierje “al dente” pa arritur në krem pure të imët.
Në një tas të vogël marrim një vezë e rrahim me pak kripë. Më pas marrim 200 gr djath feta e grijmë në copa të vogla. Shtojmë 200 gr sallam peperoni të grirë hollë me copëza të vogla.
Marrim 3/4 tas me majdanoz dhe grijmë hollë. Pastaj 3/4 tas me qepë të njoma dhe i grijmë hollë.
Këtë masë me patate të grira e hedhim në një tas të madh gatimi. Këtu shtojmë vezën, djathin, sallamin, majdanoz, qepët e njoma, kripë dhe piper të zi. Siç i kemi të gjithë masën, marrim një luge gjelle në duar dhe nisim t’i bëjmë qoftet në forma ovale. Pasi i kemi përgatitur, i fusim në furrë t’i pjekim në temperaturën 370 gradë për 45 minuta.
Unë preferoj pjekjen sepse kjo mënyrë ka pak yndyrë. Por ju nëse dëshironi mund t’i skuqni në tigan me pak vaj, dhe pastaj i kaloni në një letër kuzhine për t’i thithur sadopak yndyrën.
Qoftet janë gati të serviren. Ato mund të shoqërohen me një supë dhe fileto pule ose peshku.
Ju bëfshin mirë!
***
Na ndiqni çdo ditë në FlasShqip për receta të tjera në rubrikën “Receta nga Kanadaja”. Kush dëshiron të ndajë një recetë gatimi me lexuesit tanë, të na shkruajë në Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.
3 prill 2020
©FlasShqip.ca