Stil & Jetë

Receta nga Kanadaja: Gatuan Mimoza Prifti

Lakrori i Dembelit

Quhet "Lakrori i dembelit" sepse është i shpejtë dhe pa peta, por për nga shija është lakror për zengjin. Është një nga gatimet e shpejta përmetare që nderon amvisën në kohë rekord. Nuk është nga më të njohurat gatime të trevës sime (Përmeti njihet për gatime dhe mikpritje fantastike), por është nga më të shijshmet për çdo moshë. Nëna ime do të më qortonte për këtë përzgjedhje: pastaj çelësi gatimit nuk është çfarë gatuan, por masa e dashurisë që derdh në të. Gatimi në vetvete është art, është dashuri. Ime më kur mi pëlqen gatimet më thotë: i paske kënduar buzagaz moj bijë!  

Për amvisën përmetare gatimi është i shenjtë, ështe identifikim. Im atë ka një shprehje shumë të bukur çka tregon rolin që ka gatimi në kënaqësinë individuale dhe në familjen përmetare:

Dynjallëk o tungjatjeta,

bëhet burri qesharak,

sado i lartë të jetë truri

I ka rrënjët në stomak.

Gatimi në trevën time është alfa e mikpritjes dhe nderimit që i bëhet mysafirit. Dhe jo më kot Fan Noli shkruan në poemën e vet:

A do të hash e të bësh qejf?

sofra e shtruar si për mbret

pastërti e për yzmet,

të tillë gjen veç në Përmet.

Receta për një tepsi mesatare:

Ndezim furrën në 400 gradë.

Për brumin:

2 kokrra vezë

2 filxhanë qumësht (ose ujë)

2 filxhanë miell

kripë

një majë luge sodë dhe një majë luge pudër pjekjeje

3 lugë vaj ulliri (unë personalisht përdor vajin e ullirit)

I rrahim sipas renditjes në një tas të madh, derisa të kemi një mase të njëtrajtshme. E lëmë mënjanë dhe fillojmë përgatitjen e mbushjes.

Për mbushjen:

1 tufë qepë të njoma

1 tufë majdanoz

1 tufë kopër

1 tufë spinaq (dhe lakra të tjera në se kemi)

1 vezë

2 lugë kos

2 lugë vaj ulliri

1 filxhan djathë të bardhë të thërrmuar

I grijmë imët të gjitha jeshillëqet, dhe më pas hedhim një nga një përbërësit e tjerë sipas renditjes.

Lyejmë tepsinë me pak vaj, e pudrosim me miell dhe hedhim gjysmën e masës së brumit të përgatitur.

Më pas me dorë, mbi shtresën e brumit që hodhëm, përhapim mbushjen në mënyrë të njëtrajtshme. Mbi mbushjen hedhim gjysmën tjetër të brumit.

E fusim në furrë për gati 35’-45’. Dhe “Lakrori i dembelit” është gati për t’u servirur.

 

***

Na ndiqni çdo ditë në FlasShqip për receta të tjera në rubrikën “Receta nga Kanadaja”. Kush dëshiron të ndajë një recetë gatimi me lexuesit tanë, të na shkruajë në Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo. 

 

©FlasShqip.ca