Stil & Jetë

Receta nga Kanadaja: Gatuan Danjela Lumani

Kur je nostalgjike shpesh kthehesh mbrapa në kujtime, te shtëpiza e gjyshërve në fshat, te macja lozonjare që më ulej në prehër, te qershiza qe i varte kokrrat te ballkoni i shtëpisë dhe ndalem te aroma e zjarrit… zjarr me dru, ah çfarë arome pa le kur përcillej nga aroma e petullave qifqi që gjyshja i bënte me aq merak. Futesha me vrap te ashefi (aneksi) ku vlonte zjarri e skuqeshin petullat erëmira.

Pasi skuqte petullat e përvëlohej vetë gjyshja ime e mirë, merrte një tas tjetër me kos, qëronte hudhrat, i copëtonte dhe i përzjente mirë mirë dhe skuqte pak gjalpë e ia hidhte sipër. Drekë. Uleshim të gjithë bashkë, nipër e mbesa e shijonim petullat e gjyshes… E gjyshes i qeshte fytyra… i mbushej shpirti kur të gjithë bashkë shijonim ato çka duart e arta të gjyshes kishin gatuar për ne, mjalti i mjaltit të saj.

Një mbrëmje kur po kthehesha nga puna, dikush në një nga shtëpizat e bukur në Calgary kishte ndezur zjarrin në vatër e mbante një aromë e mirë druri të djegur, e më zgjoi kujtimet e petullave të gjyshes, gatimi i të cilave është më i preferuari për mua për shkak edhe të kujtimeve që më zgjojnë.

Petulla në kos e hudhër

2 gota me miell

1 gotë uji me kos

1 kokërr vezë

gjysmë luge kafeje me sodë

vaj

pak kripë

pak nenexhik/mendre e freskët e grirë hollë

pak gjalpë

Përgatitja

Në një tas përzjejmë vezën, kosin, kripën, mendrën dhe pak gjalpë. I rrahim fort dhe më pas hedhim miellin me sodën e bukës. E rrahim të gjithë masën deri sa është bërë brumë elastik. Sapo të shohim që vaji është nxehur, hedhim brumin në copa të vogla. me lugë gjelle.

Përsa i përket kosit me hudhra.

Grijmë hollë-hollë hudhrën dhe e hedhim te kosi. Mund të shtoni gjalpë të skuqur ose vaj ulliri, sipas dëshirës.

Ja pra këto janë petullat të cilat i gatuaj zakonisht të dielave si një mënyrë për të nxjerrë mallin e atyre drekave gazmore plot të qeshura e hare në shtëpinë e gjyshërve në fshat…

 

Nga Calgary, Danjela Lumani