Stil & Jetë

Receta nga Kanadaja: Gatuan Ardiana Golja

Unë jam Ardiana Golja. Me profesion jam bankiere (drejtoreshë e përgjithshme e qendrës për kreditet bankare në RBC) por më pëlqen të gatuaj. Për mua gatimi është kënaqësi dhe si çdo gjë mendoj se përbërja kryesore e çdo recete është dashuria dhe pasioni. Gjithmonë jam munduar, prej vitesh kur fëmijët ishin më të rinj, që të gatuaja ushqime të larmishme, me ngjyra, vitamina, jo me shumë yndyrë dhe sa më të bukura. Ishte e vetmja mënyrë që të hanin zarzavatet. Unë kam qenë me fat që kam një nënë me shumë gusto, imagjinatë dhe talent dhe jam munduar të bëj gatimet e saj duke ia përshtatur pak kohëve.

Kjo recetë është një nga të preferuarat e familjes dhe është për 5 racione.

Tavë me mish qingji dhe perime a la Ardiana

Përbërësit:

5 copa të vogla mish qingji
5 patate mesatare
1 qepë e ëmbël e madhe
4 speca të verdhë dhe të kuqe
2 grushta me bamje të vogla
2 domate mesatare
3 patëllxhane të vegjël (si të Shqipërisë)
pak piper të zi
2 lugë gjelle vegetë
vaj ulliri/vaj misri
1 filxhan kafe/çaji ujë
2 lugë çaji rigon
2 lugë çaji paprika/ spec i kuq pluhur

Përgatitja:

Vëre mishin në tavë me pak rigon, vegetë dhe piper dhe dy grushta me ujë.
Mbuloje me letër alumini dhe fute në furrë në 375 gradë. Ktheje dy herë derisa të jetë i pjekur.

Patatet e prera në katërsh skuqi pak sa të zbuten dhe marrin pak ngjyrë. Piqi ose skuqi specat të prera në copa, ashtu dhe patëllxhanat të prera në kuba, dhe bamjet hidhi të gjitha bashkë me domatet dhe qepët e prera me copa të trasha.

Shpërnda vegetë mbi zarzavatet. Shto kusurin e ujit. Mbuloje me letër alumini ose kapak dhe piqe në 375 gradë deri sa uji është shteruar. Përzieje me kujdes një herë në mes të pjekjes. Dhe me kaq është gati për drekë.

Ju bëftë mirë!

 

*Na ndiqni çdo ditë në FlasShqip për receta të tjera në rubrikën “Receta nga Kanadaja”. Kush dëshiron të ndajë një recetë gatimi me lexuesit tanë, të na shkruajë në Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo. 

6 prill 2020

©FlasShqip.ca