Receta nga Kanadaja: Gatuan Bruna Hyka
- Published in Jetë dhe stil

Zakonisht në familjen tonë gatuan mami. Ajo vazhdon të ruajë traditën shqiptare të të gatuarit dhe e ka vështirë të ndryshojë megjithëse ka 10 vjet që jeton në Kanada. Unë personalisht kam qenë gjithmonë kurioze dhe më ka pëlqyer të eksperimentoj në kuzhinë. Supën me kokë salmoni e pata dëgjuar nga një e njohur filipinase dhe thashë ta provoj një herë. Sukses!!! Është një supë shumë e mirë, e ushqyeshme dhe jo shumë e komplikuar në përgatitje. Shijon sidomos gjatë muajve të gjatë të dimrit Kanadez. Ja receta:
Supë me kokë salmoni
Përbërësit:
- 2 koka salmoni ose një skelet salmoni (koka, bishti dhe kockat)
- 1 qepë të madhe të prerë hollë
- 3 lugë gjalpë
- 250 gr patate (dy kokrra jo shumë të mëdha)
- 1 tufë kopër të freskët
- 2 gjethe dafine
- 1 lugë çaji kripë
- gjysëm filxhani krem gatimi ose sipas shijes
Përgatitja
Ndizet soba në nxehtësi mesatare dhe në një tenxhere shkrijmë gjalpin. Shtojmë qepën e grirë dhe e skuqim derisa të zbutet por jo të marri ngjyrë, rreth 7 minuta. Shtojmë pjesët e salmonit, patatet, gjethet e dafinës, kripën dhe tufën e koperit. Nga tufa e koperit lemë disa degë veç. I hedhim ujë sa të mbulohet peshku dhe i lëmë të ziejnë deri sa të zbuten peshku dhe patatet, rreth 20 minuta.
Me një lugë të madhe me vrima e nxjerrim peshkun nga tenxherja, e lëmë të ftohet pak dhe qërojmë kockat, etj duke lënë të gjithat pjesët që konsumohen.
I shtojmë këto pjesë brenda në supë dhe e ngrohim përsëri me zierjë të ngadaltë duke e trazuar nga pak. I shtojmë kremin e gatimit dhe kopër që e kishim lënë veç. Mund t'i shtoni kripë dhe piper të zi sipas dëshirës. Shërbejeni menjëherë.