Receta nga Kanadaja: Buka e Kozetës
- Published in Jetë dhe stil

Çfarë kujtimesh ju sjell aroma e bukës së ngrohtë? Mua për vete më kujton fëmijërinë në Korçën e bukur. Kur isha e vogël kisha shumë dëshirë të ndihmoja mamin kur zinte bukën apo hapte petët e lakrorit me okllai. Më kujtohet se para se të ndihmoja duhet të vija mesallkën dhe shaminë në kokë. Duke qenë se është mirë të shmangim apo minimizojmë vizitat dhe daljet e panevojshme unë po ndaj me ju recetën që përgatis bukën.
Përbërësit që nevojiten:
4 gota miell (çfarë do lloji)
2 gota ujë të nxehtë (jo të vakët, jo ujë që zien)
gjysëm lugë çaji maja
1 lugë çaji kripë
I përzjejmë të gjithë përbërësit për pak minuta, izolojmë mirë enën me qese kuzhine dhe e lëmë përzjerjen të vijë për rreth 3 orë në temperaturë ambienti. Pas 3 orësh masa duhet të jetë dyfishuar.
Ndezim sobën në 450 gradë Farenheit dhe presim të arrijë atë temperaturë për rreth 30 minuta. Sekreti i kësaj buke është se 35 minutat e para të pjekjes duhet të piqet e mbuluar (psh në tenxhere apo tepsi me kapak ose dutch oven; unë përdor 2 tepsi të cilat izolojnë mirë njëra tjetrën dhe kanë mjaftueshëm hapësirë në mes).
I vendosim tepsitë që do përdorim për pjekje në furrë që të nxehen. Ndërkohë mbi sipërfaqen ku do të punojmë brumin, hapim 3 lugë miell hedhim brumin dhe e punojmë për pak minuta derisa të jetë i lëmuar nga të gjitha anët. Gjatë kohës që soba dhe tepsitë nxehen, e vendosim brumin në një enë mbi një letër kuzhine dhe e mbulojmë me një pecetë.
Në momentin kur soba dhe tepsitë janë gati e kalojmë brumin së bashku me letrën e kuzhinës në tepsi, e mbulojmë me kapak apo tepsinë tjetër të nxehtë dhe e vendosim për pjekje - kujdes se mos digjeni në këtë hap! E lëmë bukën të piqet e mbuluar në 450 gradë Farenheit për 35 minuta dhe pas 35 minutash e heqim kapakun e enës dhe e lemë të piqet edhe 20 minuta të tjera.
Ju bëftë mirë!
Kozeta Miliku - Manitoba
*Na ndiqni në rubrikën “Receta nga Kanadaja”. Kush dëshiron të ndajë një recetë gatimi me lexuesit tanë, të na shkruajë në Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.
Prill, 2020
©FlasShqip.ca