Stil & Jetë

Çfarë fitojmë kur luajmë shah?

Shahu është një nga lojërat më të vjetra në botë. Të luash shah ka përfitime të shumta psikologjike. Zbuloni cilat janë ato duke lexuar më poshtë:

A e dini se një zonë e trurit e lidhur me njohjen e fytyrës aktivizohet në trurin e ekspertëve të shahut në momentin kur ata luajnë? Kjo është zona që analizon marrëdhëniet hapësinore. Ajo aktivizohet kur luan shah, sepse loja kërkon një kuptim të marrëdhënieve hapësinore midis gurëve.

Në fakt, nuk ka rëndësi nëse jeni një lojtar me përvojë apo i rastit. Megjithatë studiuesit thonë se, tek lojtarët profesionistë të shahut, këto zona të trurit aktivizohen sapo ata shikojnë tabelën dhe shohin gurët e renditur në pozicionet e tyre fillestare.

Disa nga përfitimet e të luajturit shah

1. Shtimi i dendriteve

Dendritet janë zgjatime të neuroneve. Ato janë përgjegjëse për përcjelljen e sinjaleve ndërmjet neuroneve. Duke stimuluar rritjen e tyre, dendritet do të jenë më të aftë për të kapur dhe dërguar sinjale.

Të mësosh dhe të luash regullisht shah stimulon shtimin e këtyre dendriteve, të cilët nga ana tjetër, rritin shpejtësinë e komunikimit neuronal. Me fjalë të tjera, rritet përpunimi dhe niveli i performancës.

2. Kur luan shah ushtrohen të dy hemisferat e trurit

Hemisfera e majtë e trurit është përgjegjëse, ndër të tjera, për njohjen e objekteve. Hemisfera e djathtë, nga ana tjetër, është përgjegjëse për njohjen e modelit, ose skemës së lojës. Kur luajnë shahistët vënë në përdorim të dyja hemisferat pasi atyre iu duhet të ndjekin regullat dhe teknikat e përfshira.

3. Shahu mund të ndihmojë në parandalimin e sëmundjes Alzheimer

Një studim i Kolegjit të Mjekësisë “Albert Einstein” në Universitetin Yeshiva nxorri rezultate shumë të rëndësishme në lidhje me praktikimin e shahut. Ndërsa shahu vë trurin tuaj në punë, ai mund të frenojë përkeqësimin e gjendjes së tij.

Të luash shah duket se ul ndjeshëm rrezikun e vuajtjes nga demenca dhe gjithashtu mund të luftojë simptomat e saj. Kjo duket se vlen edhe për çrregullime të tilla si depresioni dhe ankthi.

4. Mund të ndihmojë në trajtimin e skizofrenisë

"Bron Cognitive Neuroscience Center" në Francë vendosi programe të përditshme të shahut për pacientët me skizofreni. Kjo praktikë rezultoi në një përmirësim të gjendjes së tyre në krahasim me pacientët që ishin lënë jashtë programit të lojës. U vu re që, veçanërisht, vëmendja dhe arsyetimi i pacientëve u përmirësuan.

5. Shahu përmirëson aftësitë e të menduarit dhe zgjidhjes së problemeve tek fëmijët

Duket se loja e shahut në moshë të hershme mund të përmirësojë aftësitë e fëmijëve për zgjidhjen e problemeve. Përmirësime janë parë edhe në rezultatet e leximit dhe matematikës. Mbi të gjitha, për një fëmijë, shahu mund të jetë si një enigmë e madhe për t'u zgjidhur. Ai kërkon ndryshime të vazhdueshme të strategjisë për t’iu përshtatur lëvizjeve të kundërshtarit.

6. Shahu rrit vetëbesimin

Shahu gjithashtu ka një ndikim të madh në vetëvlerësimin. Pavarësisht nëse fitoni ose humbni, luajtja shah i kushtohet analizës së lojërave dhe vëzhgimit se ku keni gabuar. Kjo, si rezultat, zbulon shumë informacione për veten tonë.

Praktika na ndihmon të përmirësohemi si lojtarë shahu. Do të vijë një kohë kur ne vërtet do të fillojmë të shijojmë këtë lojë strategjie dhe të ndihemi shumë më rehat dhe më të sigurt. Kjo rrit në masë të madhe forcën tonë mendore dhe nivelet e vetëbesimit.

7. Shahu rrit aftësitë e planifikimit dhe parashikimit

Të luash shah kërkon aftësi të vetëkontrollit dhe planifikimit, se shahu nuk është lojë fati. Këto aftësi zhvillohen në korteksin parafrontal, një nga zonat e trurit që zhvillohet më vonë në jetë. Fëmijët dhe adoleshentët veçanërisht përfitojnë nga kjo lojë strategjie sepse i ndihmon ata të zhvillojnë këtë pjesë të trurit. Shahu është një lojë fantastike që do t'i ndihmojë ata të marrin vendime si të rritur në shumë aspekte të jetës së tyre.

8. Shahu gjatë periudhës së një rehabilitimi

Njerëzit që janë duke u rikuperuar nga një goditje në tru ose ndonjë shkak tjetër mund të përfitojnë shumë nga luajtja e shahut. Kjo lojë ndihmon për të përmirësuar aftësitë njohëse dhe motorike, si dhe aftësitë e komunikimit. Stimulon përqendrimin e thellë dhe ndihmon në përballimin e ankthit.

9. Një duel psikologjik

Si përfundim, të luash shah është një duel psikologjik që kërkon qëndrueshmëri, vullnet për të fituar, këmbëngulje, gatishmëri për të luftuar dhe qëndrueshmëri.

Prandaj, mendojeni njëherë, futeni në axhendën tuaj një lojë shah në ditë për të përfituar gjithë këto të mira për shëndetin.

©FlasShqip.ca