Stil & Jetë

Pse duhet të bëjmë piknik?  

Ka shumë familje që i preferojnë piknikët. Në Tiranë e në rrethet ku hapësirat publike u zaptuan, pak vende të ofrojnë mundësinë e një pikniku të mirë. Megjithatë kush do e gjen një copëz natyrë për t’u argëtuar. Për shembull në parkun e liqenit artificial, në parkun kombëtar të Dajtit ose në Pezë, mund të organizohesh hera-herës. 

Mos prisni të gjeni skarë apo barbecue të vendosur nga njësitë administrative, Ndalohet ndezja e zjarreve në pyll dhe në parqe- thonë tabelat, por njerëzit nuk i ndalon kjo parrullë. Mjafton një çakmak në xhep se shkarpat gjenden lehtë për të pjekur mish me skarën e thjeshtë që disa marrin me vete.

Lutuni të gjeni ndonjë kosh për mbeturinat të paktën ose do ti merrni me vete t'i hidhni te kazanët e lagjes, pasi më lehtë do të gjeni ndonjë bunker, që tërheq vëmendjen e ndonjë turisti.

Megjithatë mos hiqni dorë nga pikniku. Përgatitni ushqime në shtëpi, mbushni termusët me lëngje e kafe, planifikoni të luani me top apo lojëra të tjera, merrni batanije apo çarçafë ti shtroni në bar dhe argëtohuni.  Është një mundësi e mirë për t’u lidhur më shumë me familjen.

Ky aktivitet përmirëson shëndetin mendor. Duke kaluar ca kohë në natyrë, i bën mirë ankthit të akumuluar nga jeta në qytet. Çlirohet stresi, nën rrezet e diellit që shkëlqen, me ushqimet e shëndetshme që keni marrë me vete.

Forcohen traditat. Fëmijët ndihen të sigurtë kur zhvillohen rituale familjare si piknikët në plazh ose mal, fëmijëve u krijohet ndjenja e përkatësisë dhe emocionet e përkujdesjes.

Arratisuni prej pajisjeve elektronike. Uluni në bar, ecni zbathur, pini me gota plastike, hapni ndonjë çadër kampingu, fëmijët i kanë shumë qejf.

Ecni sa më shumë në natyrë, bëni aktivitete fizike, ngjitje malore apo eksplorim të natyrës përreth, pa patur as frikën e kafshëve të egra.  

Falë zotit, me gjithë këto aktivitete, nuk do t’ju nevojitet celulari apo tableti për të kaluar kohën gjatë një pikniku Ato mund t'i përdorni vetëm për të bërë foto fantastike në natyrë.

©Flasshqip.ca