Stil & Jetë

Shtizat dhe turra e leshit – Nga Jeta Dedja

Kisha dalë me një shoqe dyqaneve për të blerë kryesisht një kapuç më të ngrohtë. U ndalëm tek një model i punuar si me dorë, e verdhë e bukur. Ok thashë unë, këtë po marr.

Shoqja ime, me origjinë nga Ukraina, ka një të mirë, dhe prandaj më pëlqen të bëj shopping me të. Ajo bën blerje të arsyeshme gjithmonë.

-Ua Jeta mos paguaj kaq shumë për një kapuç. Pse nuk e punon vetë më mirë?

-Çfarë, ku di unë të bëj kapuç?

-Mësohet lehtë thotë ajo, ke në Youtube video plot.

Më pëlqeu si ide, jo vetëm për të kursyer ndonjë dollar, por edhe për t’i shtuar një yll më tepër “fletëlavdërimeve” që marr në shtëpi sa herë që bëj diçka jashtë interesave të mia. Shkurt, për t’u mburrur. Megjithatë kapuçin e verdhë e bleva.

Edhe kështu, i hapa punë vetes në ditët në vijim. Shko e blej shtiza, bli turrat e leshit, (që më vajtën më shumë se çmimi i kapuçit, po nejse) hap video, rreshti i parë, si fillohet, si vazhdohet…ufff. Prish e shprish disa herë…u çmenda.

U kujtova se kisha pare dikur në metro gra duke praktikuar grepin, njëlloj si të lexonin një libër. Në kafenenë e shkollës sime gjithashtu, dhe dukeshin aq me konfidencë kur punonin, duart sikur u fluturonin.

Pastaj, e mblodha veten dhe i thashë vetes. “Jeta, ki parasysh se thurja është si yoga. Merre qetë, përqëndrohu, ji aty, ndjej momentin”.

Dhe ja që funksionoi. Procesi nuk po më mërziste, përkundrazi.

Se që ta dini, thurja, puna me shtiza apo grepa është e njohur si formë terapie anti stres. Këtë sekret nënat tona e paskan ditur me kohë. Ndoshta prandaj këmbëngulnin të na mësonin punëdore. Unë bashkë me shoqen time të fëmijërisë Silvanën, arritëm deri te qëndisja e rrugicave. Mamatë tona kënaqeshin. Ku ta dinim ne që një ditë punët e dorës do konsideroheshin terapi. 

Po si funksionon kjo terapia e thurjes me grep a me shtiza?

Po ja, fare lehtë, bëhu gati me të githa mjetet e duhura, rehatohu në një karrike, kolltuk apo një ulëse që të përshtatet më mirë dhe lërë trupin ta gjejë pozicionin komod. Presioni i gjakut bie, zemra qetëson rrahjet, ti ndihesh më e relaksuar.

Pastaj punën e kanë sytë që do të lëvizin nga e majta në të djathtë e anasjelltas. Kjo lëvizje sysh të shkakton përjetime pozitive, dhe është një teknikë e njohur nga terapistët.

Nëse keni ndonjë problem me të ngrënin, për shembull, ose obsesion-kompulsione puna me shtiza ju ndihmon të mbani mendjen dhe trupin të zënë me punë dhe të shmangni ngrënien apo larjen e shpeshtë të duarve.

Plus që këtë lloj aktiviteti mund ta bëni kudo, nuk kërkon kushte specifike. Futini në antë shtizat, një turrë të vogël dhe kaq.

Dhe në fund, jo vetëm që do ndiheni mirë, por hej, keni një triko, kapuç apo shall të punuar me dorë.

Kujdes! Thonë se të thururit mund të kthehet në varësi 😊

 

©JetaDedja