Stil & Jetë

Historia e kravatës - Nga Artan Gjyzel Hasani

Artan Gjyzel Hasani

Në vitin 1660, në Paris, gjatë ceremonisë për nder të një fitoreje vendimtare kundër forcave të Sulltanit, u ftua edhe një regjiment mercenarësh kroatë që luftonin pa flamur kundër Perandorisë Osmane nën gjeneralë ushtrish të huaja. Kroatët iu paraqiten Mbretit si heronjtë e betejës, ndaj ai zbriti drejt tyre për t’i pergezuar nga afër.

Luigji XIV, i quajtur ndryshe edhe Mbreti Diell, shquhej për shijen e hollë për muziken, artin, kulturen dhe veshjen. I bëri shume përshtypje shalli i mëndafshtë e plot ngjyra që mercenaret kroate kishin lidhur në qafë, ndaj me të mbaruar ceremonia Luigji XIV urdhëroi krijimin e Royal-Cravates që do të shërbente si regjiment ceremonial mbretëror.

Fjala “cravat” thuhet se vjen nga “à la croate” - në stilin e kroatëve.

Po këta mercenarë kroatë që s’mbanin flamur, por kravatë, nga e kishin marrë atë simbolikë? Në Kroacinë e asaj kohe shalli në qafë ishte i panjohur.

Portreti i pare e një kroati me kravatë të tillë daton në vitin 1638, pra 22 vjet para ceremonisë së lartpërmendur të Luigjit të XIV dhe i përket Poetit kombëtar të Kroacisë, Ivan Gundulić, një antiosman i njohur i epokës së tij, krijimtaria e të cilit kishte si epiqendër reformimin e Kishës Katolike, luftën kundër vanitetit të botës dhe të pabesëve. Hamendësohet që ka qenë pikërisht shalli i këtij poeti antiosman frymëzuesi i simbolikës së mëndafshtë në qafën e mercenarëve kroatë.

18 tetori njihet si Dita Botërore e Kravatës dhe një festival për nder të saj mbahet çdo vit për 3 ditë rresht në Zagreb.

Metafora e kravatës

Duke vazhduar hulumtimin tim rreth kravatës, hasa në këtë përkufizim të shkëlqyer të simbolikës së saj nga Akadamia Kroate e Kravatës, e vetmja akademi e këtij lloji në botë:

“Kravata është një simbol universal i Elegancës dhe Kulturës së Veshjes, por potenciali i saj simbolik përmban edhe shumë vlera të tjera.

Kravata Vertikale me dy krahe simbolizon Vertikalitetin Njerëzor, të qëndruarit drejt në këmbë përballë çdo tendence për ta gjunjëzuar njeriun: Dinjitetin personal human dhe vetëndërgjegjësimin për dinjitetin e tjetrit, çastet e solemnitetit dhe ceremonialitetit, suksesin personal dhe frymën e biznesit… Pjesa vertikale e kravatës simbolizon Lirinë, Nyja simbolizon Përgjegjshmërinë dhe të dyja këto pjesë sëbashku na bëjnë më të vetëdijshëm për Komunikimin mes Dinjitetit Tonë dhe Dinjitetit të Tjetrit, lirisë sonë, por gjithashtu edhe përgjegjësisë sonë ndaj lirisë së tjetrit.”

©Artan Gjyzel Hasani