Stil & Jetë

Mbi telenovelat!

Nga: Jeta Dedja

Mora një ftesë dikur nga një televizion për të diskutuar mbi telenovelat. E di, është temë e stërlodhur, por e pranova ftesën. Më duket se i hapa punë vetes, pasi u detyrova të ndjek dy ditë rresht të gjitha telenovelat e mundshme në kanalet televizive shqiptare. Më duhej të kisha informacion të përditësuar mbi tregun e tyre në vend. Duhet thënë se fenomeni “telenovelë” apo “seriale” nuk e ka emrin Shqipëri, por as Shqipëria nuk ka imunitet ndaj globalizimit. Në gjithë botën transmetohen.

Mbaj mend që ekranet tona fillimisht kanë ofruar për audiencën seriale banale me cilësi të diskutueshme në çdo aspekt, ndërkohë për shkak të konkurencës ditët e sotme mund të them që janë më përzgjedhëse të lëndës që ofrojnë. Megjithatë publiku ka përtypur gjithçka u është ofruar…Siç u mundova të përtyp edhe unë këto dy ditë. Ç’nuk pashë! Seriale turke, braziliane, meksikane, amerikane, italiane, indiane… Kultura të ndryshme brenda një dite…A ka ndonjë tjetër që më ka shpëtuar ??? Hmmm…lezetshëm arredimi i shtëpive dhe stili i veshjeve. Shumica e aktorëve me paraqitje të këndshme dhe kudo pashë që personazhi kryesor ishte i/e bukur, magjepsës/e. Rastësi të ishte??? Nuk besoj. Duhet të jenë mirëmenduar karakteristikat e jashtme që mund të tërheqin teleshikuesit. Ka syresh që dashurohen me personazhet madje edhe i imitojnë. Ka të tjerë që edhe emrat e personazheve i fusin në jetën e tyre duke ua vënë të porsalindurve. Ka shikues që e rrotullojnë jetën e tyre rreth serialit të preferuar. Ka gra e burra pensionistë që në vend të shëtitjeve apo dominove të pamundura, vrasin kohën duke ndjekur edhe ritransmetimet. Këta gjyshër ndonjëherë edhe “bëjnë pazar” me nipërit apo mbesat të tipit: ”Nëna do shohë 1 film dhe pastaj ti do shikosh 3 filma”. Dhe ndërkohë nipi/mbesa ndjek me ankth telenovelën bashkë me reklamat shoqëruese në pritje të rradhës së negociuar.

Pyetini fëmijët për emrat e personazheve se jam e bindur që kanë informacione të mjaftueshme. Ka edhe gra të një moshe më të re se gjyshet që e kalojnë kohën ose e përdorin kohën për të ndjekur çdo seri të telenovelave që jep çdo stacion televiziv, madje nervozohen kur transmetohen në të njëjtin orar dy të tilla. Janë gati të shtyjnë punët që kanë nëpër duar për më vonë, derisa episodi të përfundojë. “Fuqia” e gruas është aq e madhe, saqë po vihet re edhe përfshirja e bashkëshortëve të tyre në ndjekjen e telenovelave. Apo ndoshta e kanë prej papunësisë??!! Dikush i hequr nga puna dhe dikush tjetër në pritje të premtimit të papërmbushur për punësim ?? Mos vallë përmes telenovelave arratisen nga realiteti që u ka shkaktuar dëm ekonomik?? Apo leximi i librave dhe ndjekja e programeve të tjera kërkojnë më tepër impenjim mendor, përqëndrim, vëmendje, asimilim informacioni prandaj dhe njerëzit sot priren drejt programeve “soft”?

Roli pasiv para ekranit është më komod, apo jo? Apo mos vallë, është më e lehtë të diskutosh ngjarjen e rradhës së një telenovele dhe hamendësimet e pjesës tjetër sesa të diskutosh mbi ngjarjet reale të vendit ku jeton? Ti mendon se nuk ke forcë të ndryshosh dhe të ndikosh mbi një ngjarje në vend dhe nuk shpreson shumë se diçka mund të ndodhë për mirë nesër. Por ti e di se në episodin e rradhës X do takohet me Y dhe do t”ia shprehë më në fund dashurinë. Njerëzit duan zhvillime, duan ngjyra në jetën e tyre dhe i dëshirojnë më shumë kur nuk kanë mundësi ti realizojnë vetë ato. Ata ndihen mirë që dikush tjetër qoftë edhe një personazh, bën një jetë ndryshe, ndoshta një jetë të përafërt me jetën e ëndrrave të shikuesit. Pse mos të shpenzojnë disa orë për tu ndjerë së paku ndryshe???

Deri këtu asgjë të keqe nuk ka. Problemi fillon nëse identifikimi ndërhyn në realitetin e shikuesit. Nëse fillon të imitojë jetën e personazhit të preferuar, mund të shkëputet nga realiteti dhe kjo shkëputje do të sjellë efekt jo vetëm në psikologjinë e tij, por edhe në raportet me njerëzit që e rrethojnë. Gjithmonë problemi lind kur ka një zmadhim të raportit të njeriut me diçkanë. Nëse gjëja e dominon njeriun, atëherë “Stop”—këtu ka një problem! Në këtë pikë, dikush nuk e paska ndarë shapin nga sheqeri, trillin nga realiteti, por ka përtypur gjithçka, duke dëmtuar sistemin e përpunimit të lëndës.

Ju sjell në vëmendje rastin e një gruaje të përqëndruar tek telenovela e saj e cila, harroi ndezur sobën dhe mori flakë shtëpia. Një tjetër ndjekëse e zjarrtë u vra nga i shoqi i lodhur dhe i neglizhuar, i cili nuk tentoi ta kuptonte pasionin e gruas së tij. Një tjetër tentoi të mbetej shtatëzanë përmes intrigave të imituara në telenovela duke kërkuar në fund atësinë e pretenduar të një burri. Një tjetër sajoi një shtatëzani imagjinare për të mbajtur në krah burrin, i cili me ngulm kërkonte një fëmijë. Një tjetër përndiqte të dashurën me paranojën se ajo kishte një lidhje me të vëllain njëlloj si personazhi i saj i preferuar. Mos u çudisni! Jemi të gjithë të ndikueshëm nga diçka. Lum kush di të njohë masën, sepse telenovelat nuk i fajësojmë dhe as nuk i zhdukim dot nga qarkullimi, përsa kohë hidhen miliarda për prodhimin e tyre.