Stil & Jetë

Fletushkat poshtë derës!

Nga: JETA DEDJA

Çdo ditë kur hap derën për të dalë nga shtëpia, më duhet të mbledh e të hedh në plehra disa fletushka që reklamojnë produkte medemek me zbritje çmimi. Disa kanë oferta të limituara dhe na bëjnë thirrje të vrapojmë se mbarojnë shpejt. Të duket sikur çdo ditë bizneset mendojnë për të mirën tonë dhe po të mos ishe në dijeni të kulturës së konsumizmit, do mendoje se jeta do të stopojë po të mos shpenzosh ato ditë festash apo të premtesh të zeza. Kujtoni pak ditët para festave të fundvitit, karrocat plot e përplot të kallin datën sikur paralajmërojnë krizën e bukës njëlloj si në vitin 92 kur u njoftua në lajme nga kryeministri i asaj kohe se mielli kishte mbaruar.

Njerëzit bien viktima të thirrjeve. Sa më limituese të jenë ato aq më shumë rezultat kanë. Kjo lidhet me “nevojën për ti dhënë fund”, një koncept psikologjik që ka të bëjë me shkallën në të cilën ne kemi nevojë të përfundojmë një proces vendimi dhe të ndërmarrim veprime.  Disa preferojnë të mendohen për një kohë të gjatë para se të marrin një vendim ose të bëjnë një zgjedhje, këta e kanë të ulët nevojën për ti dhënë fund. Ndërsa të tjerë zgjedhin menjëherë, pa u menduar gjatë pasi nevoja e tyre është e shkallës së lartë. Ata nuk mund të presin e të bëjnë krahasime mes produkteve për të zgjedhur.

Kështu na ndodh me ofertat për festa. Ata na nxisin nevojë të lartë për përfundime. Shitësit ofrojnë ulje të produkteve dhe sugjerojnë se këto ulje nuk do vazhdojnë më pas. Fluksi i blerësve të angazhon dhe ty që të veprosh shpejt, pa e parë dy herë produktin.

Kjo ndodh më tepër për produktet e shtrenjta elektronike. Njerëzit zgjedhin shpejt dhe nuk mendohen me idenë se po bëjnë një pazar të mirë, sepse uljet te ushqimet dhe sapunët nuk janë aq joshëse sa te elektronika apo veshjet.

Kur shkojmë në shtëpi konstatojmë se malli që blemë edhe mund të mos ishte blerë. Nuk ishte i nevojshëm në fakt një televizor i 2018 me disa opsione më tepër se i mëparshmi. Edhe veshjet e blera lirë, nuk janë të cilësisë së mirë sado që u dukën blerje me leverdi.  As syzet me ofertë nuk ia vlenin, duken si fake. Dhe më e bukura është që mallrat që blihen me ofertë në disa dyqane nuk ke të drejtë ti kthesh. Prandaj është mirë të mendohemi më tepër se dy herë kur shpenzojmë në kohë ofertash. Le ti bëjmë ca naze hileve të marketingut.